Nga idhujt si Mesi e Broja deri te dëshira për ekipin A, kuqezinjtë e vegjël rrëfejnë emocionet e ftesës së parë të Kombëtares

Kombëtarja U-15 ka nisur që të hënën grumbullimin e planifikuar me 24 lojtarë të përzgjedhur të vitlindjes 2009, teksa kuqezinjtë janë grumbulluar në Durrës dhe kanë nisur përgatitjet. Atmosfera është shumë e mirë dhe e këtë konfirmojnë edhe vetë lojtarët e ftuar në këtë grumbullim, shumica e të cilëve ftohen për herë të parë.

Kombëtarja U-15 është edhe stacioni i parë për lojtarët që synojnë të bëhen pjesë e ekipeve Kombëtare dhe nga ku nis rrugëtimi për lojtarët e talentuar që duan të kenë një karrierë të rëndësishme me fanellën kuqezi.

Sulmuesi që aktivizohet me moshat e Fiorentinës në Itali, Majkol Luka, është një prej lojtarëve të bashkuar së fundmi me këtë skuadër e që synon të tregojë vlerat e tij në këtë grumbullim 3-ditor, me shpresën për të qenë edhe në vazhdimësi pjesë e ekipeve kombëtare.

“Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Kombëtares U-15. Objektivi im personal është që të bëhem futbollist i skuadrës së parë të Fiorentinës në të ardhmen dhe kam shumë dëshirë të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë. Jam shumë i lumtur kur më vjen ftesa dhe për këtë kam folur edhe me familjen. Dua të ndihmoj shumë ekipin tim dhe Kombëtaren gjithashtu. Idhulli im në futboll është Kristano Ronaldo”, – thotë Luka duke folur për Fshf.org.

Edhe sulmuesi i Partizanit, Elson Himallari shfaqet shumë entuziast për këtë mundësi dhe nuk i fsheh emocionet e grumbullimit me Kombëtaren U-15. Ai shprehet i bindur se me shumë punë e përkushtim mund të ngjisë shkallët e karrierës një nga një dhe të bëhet një futbollist i rëndësishëm në të ardhmen.

“Ndihem shumë mirë që kam pjesë e këtij grumbullimi. Sapo mora lajmin për ftesën u gëzova shumë dhe kontaktova dhe familjen për ta ndarë këtë lajm kaq të bukur. Kur të rritem dua që të vazhdoj të luaj me të gjitha ekipet e moshave kuqezi me shpresën që të arrij të luaj me Kombëtaren A. Unë luaj në pozicionin e sulmuesit të krahut me skuadrën e Partizanit dhe dëshiroj që në të ardhmen të bëhem pjesë e një klubi europian. Idhulli im është Lionel Messi. Kemi një grup me elementë të mirë, ku bëjnë pjesë edhe lojtarë që aktivizohen jashtë. Prindërit më këshillojnë shpesh që të stërvitem sa më mirë dhe me seriozitet në mënyrë që të realizoj ëndrrat e mia”, – thotë Himallari.

Të njëjta objektiva ka edhe sulmuesi tjetër i Teutës, Etrit Gjuzi, i cili shpreson të ecë në gjurmët e Armando Brojës, idhullit të tij, e të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Ky është grumbullimi im i parë me ekipin Kombëtar. U lumturova shumë kur mora lajmin e ftesës dhe e ndava menjëherë me familjen time. Të gjithë u ndjemë shumë krenarë për këtë arritje. Kam nisur të luaj futboll që në moshën 5-vjeçare dhe futbolli është gjithçka për mua, dëshiroj shumë të bëhem futbollist profesionist i suksesshëm në të ardhmen. Synoj që të vazhdoj të luajë me Kombëtaren U-17, U-19, U-21 dhe një dit të arrij të luaj me Kombëtaren A. Luaj në disa pozicione, si sulmues qendre dhe sulmues krahu, ndërsa futbollisti im i preferuar është Armando Broja. Që të arrij në nivele të larta më duhet të punoj shumë, me përkushtim dhe me seriozitet maksimal”,- shprehet Gjuzi.

Trajneri Armand Damo do të ketë në dispozicion grupin për tre ditë dhe stërvitjet do të zhvillohen në ambientet e kompleksit Tropikal. Ky është seleksionimi i dytë i Kombëtares U-15 brenda një kohe të shkurtër, teksa tre javë më parë stafi teknik pati mundësinë të testonte një grup më të madh prej 40 lojtarësh.

Seleksionimet vijnë pas përfundimit të turneut të përfaqësueseve rajonale që u zhvillua pak javë më parë ku morën pjesë futbollistët e grup-moshave U-13, U-14 dhe U-15 nga e gjithë Shqipëria. Përveç seancave stërvitore, në ditën e tretë të grumbullimit do të organizohet edhe një miqësore ndaj një ekipi tjetër, që mbetet për t’u përcaktuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *