Më shumë se Tirana Youth City duket se kryeqyteti do ngjisë këtë muaj maj me Tirana European Soccer! E këtë në një mënyrë apo tjetër kanë nisur ta shijojnë fort edhe udhëheqësit tanë. E më shumë se kushdo vetë ai, kampioni i PR dhe i artikulimit, Edi, njëherësh mik me Aleksandër Ceferin, natyrisht dhe me Armandon e shumë padive të shkurtit. Rama, me të drejtë dhe falë bonusit të Dukës po e shijon shumë këtë moment. Dhe i mbesë të jetë i tillë deri në 25 maj. Vetëm në pak kohë ka postuar tre herë radhazi rreth imazhit që prodhon kjo finale për vendin qe ai qeveris, por s’pashë askund në asnjë germë të tij diçka që mesa duket e ka paska zët ta ndajë me njerëzit: “Meritën dhe faktorët e saj”.
Nga një kryeministër tërësisht në back-stage në periudhën e zgjedhjeve, tashmë Edi Rama gjen sërish pasionin e tij për futbollin që për pak “ia vodhi” Lali në muajt e fillim vitit. Finalja tashmë do të jetë e Tiranës. I përket t’i dalë për zot në shërbime e përgjegjësi ky shtet për mikpritjen e mbarëvajtjen. E për këtë s’ka asnjë dyshim që Rama e kryen. Por, një gjë është si fakt kokëfortë, stoik, i pashmangshëm, dhe absolutisht i pa fshehur sado rrekesh ti japësh një biletë merite në 10-she. Cili?
Kjo finale erdhi në Tiranë jo sepse Tirana ka një nam të tmerrshëm. Këtë finale Ceferin dhe Qeveria e tij nuk e sollën në Tiranë sepse këtu u gatuaka mirë (që nuk është se ia futi kot), as për shërbime e siguri, as për instalacione aksidentale. Jo! Këtë finale e solli këtu vetëm ai burri, Duka. Natyrisht që dosja plotësonte një sërë përgjegjësish nga autoritetet dhe aplikimi kishte vite, por mund të rrije në listë pritjeje edhe me vite. Me shumë vite.
Për këtë finale loboi dhe arriti ta sjellë këtu vetëm ai burri, presidenti Duka. Këtë të paktën mos e ekzagjeroni ta vini në dyshim. Është pak, por e sigurt. Nuk e solli UEFA finalen në Tiranë për ushqim të mirë, apo për nam e nishan të kryeqytetit. As për teorinë që Shqipërisë i kishte ardhur radha, por pritej ushqimi i mirë dhe shërbimi që të certifikohej. Shqipëria kishte kohë që fillimisht konkuronte me projekt të stadiumit në ndërtim, e më pas me impantin e ri. Por lobimi dhe vetëm lobimi i Armand Dukës solli këtë finale në Tiranë.
Mos pështyni teksa lexoni këto radhë por kjo është e vërteta. I qëlloi për fat Ramës që në këtë zgjedhje të ishte ai kryeministri benefitar, kjo është tjetër gjë. Është edhe punë fati dhe fati thonë që shpesh shkon me më të mirin. Por në futboll. Jo në qeverisje. Të lobosh është art, profesion më vete. Ed Rama e qan këtë, në fushën e tij. Këtu te sporti ka vetëm një meritë në këtë finale: arriti të lexojë me shpejtësi rrezikun eminent që kishte trokitur në zyrë për të mbajtur këtë finale këtu për ta shijuar shqiptarët, dhe jo grekët, serbët, apo europianë të tjerë.
Pjesa tjetër është dhe mbetet cinizëm dhe thjesht një demagogji i bukur në stinë presidenti në zgjedhje e sipër. Natyrisht që vullneti personal i tij nuk mund të evitohet për kokëfortësinë pozitive të ngritjes së këtij impianti, apo edhe të tjerëve. Por, që finalja na erdhi ne se jemi kampionë në shërbime e siguri, ushqim e bukuri, është një pamflet i mrekullueshëm që edhe Rama kur tërheq makiaton e parë e lexon si konsum për këta lo.qet….
Deri sot, deri para pak orësh s’ka asnjë mirënjohje qoftë edhe cinike, apo periferike për ata qe e sollën. Por ka entuziazëm të nisur herët me të drejtë për këtë bonus imazhi që Duka “i ofroi” Ed Ramës këtë fund maji. Madje, jo vetëm atij. Por edhe arkitektit të ngrehinës gjyqësore për të rrëzuar atë që Rama se la të ndodhë. Big-up prime ministër! Mbase dhe vetë Armando në rrymat e tij sa modeste e diplomatike ka shpërndarë e do të shpërndajë akses merite. Por mbetet taktikë e gënjeshtërt.
Finalen në Tiranë e solli vetëm ai. Dhe nuk e solli para zgjedhjeve, dhe akoma më tepër nuk e lëshoi edhe kur kishte të tëra hapësirat ta largonte. Jo! Ajo mbeti në Tiranë! Tashmë e gëzon gjithkush. Ka nisur ta shijojnë. Pa ndarë merita. Shija vjen e ëmbël, merita u shkon idhët! E megjithatë ajo i mbeti Tiranës. Faleminderit President!