Katër trajnerë në Superligën e Kosovës në këtë moment janë nga Shqipëria dhe tre prej tyre kanë punuar në Superioren tonë, ndonjëri edhe këtë sezon: Bledi Shkëmbi, Mirel Josa, Gugash Magani dhe Sulejman Starova. Është edhe Bledar Devolli një kategori më poshtë, që po vrapon drejt Superligës. Top-Channel ka intervistuar 4 trajnerët e transferuar nga Shqipëria për në Superligën e Kosovës, duke i pyetur për ndryshimet me Superioren tonë, pritjen e atjeshme, marrëdhëniet me futbollistët dhe planet e së ardhmes.
Starova: “Nuk ka asnjë lloj reagimi negativ ndaj nesh, veç Batatinës, një trajner i edukuar në Shqipëri me licencë, i cili hodhi një fjalë dhe kolegët e mi bënë mirë që nuk u përgjigjën, pasi nuk kanë pasur pse të përgjigjen, sepse opinioni këtu ka vlerësuar punën tonë. Futbollistët në Kosovë? Janë të dëgjueshëm futbollistët këtu. E përtypini me vështirësi kritikën, por reagojnë shpejt. Në shpirtin e garës meritojnë notën 10. Talentet? Kosova është superiore për talentët, sepse ka qenë me një sistem luksi, me drejtimin e Titos. Kosova ka traditë, është përhapur në të gjithë Europën, veç traditës. Pa lojtarët e Kosovës bëni llogaritë vetë në Kombëtare. Puna te Feronikeli? Më pëlqeu oferta që më bëri presidenti. Më bindi ambicia e tij, për të pasur sukses. Nuk vijmë për të kaluar kohën”.
Magani: “Nuk është punuar keq, edhe pse ka vend për përmirësim si te ne. Sa u përket kolegëve, besoj se ka qenë deklaratë emocionale ajo e Batatinës. Nuk jam dakord me atë mendim, aq më shumë që ne jemi shqiptarë. Ecuria me Trepçën ’89? Nuk kemi qenë mirë me pikë kur kam ardhur në Mitrovicë. Çdo gjë do kohën e vet. Po punojmë dhe në fund do të bëjmë llogaritë se ku kemi çaluar”.
Shkëmbi: “Isha i pari që erdha këtu dhe për këtë ndjej kënaqësi. Të tregohem dhe pak modest, të gjithë kanë thënë fjalë të mira dhe ndoshta puna ime e mirë ka bërë së bashku me ish-presidentin i ka shtyrë edhe ekipet e tjera të afrojnë trajnerë me eksperiencë. Unë nuk jam trajner si ata, me atë eksperiencën e tyre, apo me emrin e tyre. Jam trajner i ri, po kërkoj të hedh hapat e parë, për të pasuar një karrierë të suksesshme. Kosova ka talente. Unë i kam disa në ekip. Janë shumë futbollistë të mirë, me të ardhme”.
Josa: “Jam surprizuar për sa i përket asaj se çfarë prisja dhe çfarë kam gjetur këtu në Prishtinë. Niveli në Shqipëri është më i lartë. Lojtarët në Kosovë kanë një mentalitet ndryshe, mendojnë për individin më shumë se skuadrën. Duhet që të hidhen hapat një e nga një. Edhe nivelet e Skënderbeut apo skuadrave të tjera janë ngritur duke pritur apo parë gabimet në të shkuarën. Synimet? Unë nuk kam ardhur këtu për karrierë, pasi e kam bërë në Shqipëri. Kam ardhur për të bërë punën time siç e di”.