Nga beteja në betejë, Skënderbeu çon edhe Jashanicën në CAS

Nuk kanë fund telashet e Skënderbeut me UEFA-n, sepse Komisioni i Apelit të qeverisë së futbollit evropian ka lënë në fuqi dënimin 2-vjeçar për Bajram Jashanicën, i cili doli pozitiv në kontrollin antidoping vitin e shkuar.

Për pasojë, Skënderbeu ka vendosur ta ankimojë çështjen në CAS, duke e konsideruar të tepruar dënimin, aq më shumë që Jashanica nuk kishte asnjë precedent, ashtu si klubi korçar, ndërkohë që medikamenti i marrë nuk ishte përdorur qëllimisht.

REAGIMI

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Pavarësisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqësore nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.

KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.

Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmërisë së karrierës të lojtarit tonë.

Zyra për Shtyp, KF Skënderbeu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *