Nga Altin Sulçe
Kur Partizani e Tirana përplasin “brirët”, nervi zgjohet, tifozët vetë automatizohen dhe rrëmbimthi pyesin kur luhet, çfarë ore, a ka bileta? “Ja vlen shoku është Partizoni-Tirona…” Interesimi në këtë përballje vjen natyrshëm, sikur dikush shtyp një buton: Do vij dhe unë thotë tjetri në bisedat e kafeneve të kryeqytetit…
Përgatiten të gjithë, lënë dhe disa punë mënjanë, bëjnë gati biletat dhe fanellat, shallet dhe batutat, ata më specialistët qëndisin banderolat, që janë vaji, kripa dhe piperi i ndeshjes. Një qytet i tërë, i ndarë në mes me dy botë me një vijë ndarëse, ashtu siç ndahen skuadrat në dy anët e fushës.
Një vijë që nuk ndan jetën , por vetëm 90 minuta. Ekipet janë të ndryshme, kanë ndryshuar shumë. Partizani pa Skukën dhe Bitrin, Tirana pa Xhixhën dhe Ismailgecin. Por veshët dhe sytë janë edhe atje në Francë dhe Ceki, në Azerbajxhan dhe Sarajevë.
Por derbi është, si të thuash, global se shqiptarët jetojnë në çdo cep të globit dhe duan ta shohin , duhen ta shijojnë, ashtu siç janë bërë dekada me radhë. Nostalgjia thërret kujtesën e vargjeve të pafund të njerëzve që shkonin në këmbë në Qemal Stafa. Tani në Air Albania më trendi, më klas, më luks, por kujtesa harron vështirësitë dhe kujton pëllumbat e njëzeces dhe shiritat e famshme të letrave të hedhura në fushë.
Yjet e dikurshëm ende shndërrijnë, ata ndihmojnë derbin të ndriçojë edhe tani, sepse ndër vite kanë gdhendur momentet që janë hipotekuar në bankën e memories. Sot derbi është më kozmopolt, i ndryshëm. Aty janë lojtarë nga shumë shtete të botës, të cilët kërkojnë adaptimin shqiptar në historinë e jashtëzakonshme të kësaj konkurrence.
Është Kolela dhe Shehi, të dy nga shkolla të ndryshme, njëri italian dhe tjetri shqiptar, dy tabela skemash, dy kurthe pankinash, dy ankthe minutash të pafundme . Instruksione te tëra, lëvizje dhe llogari të gjitha për të shkruar historinë e re. Është 3 pikë diferenca dhe luan vendi i parë me vendin e dytë. Luajnë dhe emocionet dhe bindjet, se kush është më i miri.
Është e çuditshme si se kjo ndeshje tjetërsohet, në këtë indiferencë moderne që mbizotëron në shoqërinë tonë. Derbi magnetizon me fuqinë e tij, tërheq ngado, madje tifozë nga qytet të ndryshe , por edhe nga hapësira shqiptare. Mbase ngjyrat e skuadrave janë perfekte, enkas për të bërë diferencën. Është Partizani – Tirana është brend i kampionatit tonë. Shumë lojtarë kanë ikur, të rinjë kanë ardhur, po ajo që nuk ka ndryshuar është magjia e tifozerisë së derbit. /Sport Ekspres/