Suad Kaloshi, Erbi Myftaraj dhe Andi Xhixha, ish-lojtarë të skuadrës matjane të futbollit, kanë veshur ditët e fundit fanellën e skuadrës KF Kosova në Regensburg të Gjermanisë. Skuadra që menaxhohet nga biznesmenë kosovarë, luan në Kategorinë e tetë dhe sezoni ka nisur shtatë javë më parë.
Ekipi ku luajnë dhe katër futbollistë të skuadrave shqiptare, ndodhet në vendin e dytë me pikë të barabarta me ekipin që kryeson. Është Alikaj i Kastriotit, Arifaj i Korabit, Duro i Besës, Sulmata i Tërbunit dhe Kaloshi, Myftaraj e Xhixha të Burrelit që luajnë me këtë skuadër që pretendon të ngjitet vit pas viti nga një kategori.
Kampionati zgjat 26 javë dhe ish-futbollistët matjanë janë optimistë se skuadra po zhvillon ndeshje cilësore falë dhe sponsorizimit që i bëhet nga ndërtuesit kosovarë në Gjermani. Në fund të nëntorit mbyllet faza e parë dhe në mars nis e dyta. Futbollistët shqiptarë kanë treguar vlera pozitive në ndeshjet e zhvilluara. Mësohet se pagesat janë korrekte dhe të mjaftueshme për çdo lojtar. Albi Lala