Trajneri Vladimir konfirmon mbërritjen javën e ardhshme në ekip të 1 lojtari brazilian e 1 kinez si dhe 3 nigerianëve
Fatmir Efica
Atmosferë super në kampin e Egnatias. Puna për vitin e ri 2018 vërtetë akoma nuk ka nisur, por starti i nesërm duket se do të vijë me shumë surpriza. Në lidhje me disa risi në prag të startit të përgatitjeve që duken vërtetë shumë interesante është prononcuar dje trajneri matjan me shumë përvojë i Egnatias, Vladimir Gjonaj. Nga presidenti Shqipërim Berisha ishte deklaruar që në tre ndeshjet e fundit të vitit të kaluar Egnatia të merrte 7 pikë, ndërsa skuadra në të vërtetë mori pikë të plota (9) nëpërmjet 3 fitoreve. Tekniku Gjonaj që u shpall edhe më i miri ndër të gjithë trajnerët e kategorisë së parë për 12 javët e gjysmës së parë të kampionatit, ka marrë garancinë se ekipi që ai drejton do të marrë një shpërblim ekstra në lidhje me përmbushjen e atij objektivi që i kishte vënë presidenca e klubit.
MERKATO – Dje, tekniku i suksesshëm i rrogozhinasve ka thënë se do të vijnë gjatë javës së ardhshme në ekipin e Egnatias një lojtar brazilian, 1 kinez dhe tre nigerianë. Janë pesë afrime cilësore që do të rrisin dukshëm potencialin e skuadrës sonë. Përtej kësaj janë edhe 2-3 lojtarë që dëshirojnë të afrohen te Egnatia, një prej të cilëve luan në kampionatin e Kategorisë së Dytë në Norvegji. Duket se merkato e rrogozhinasve do të “nxehet” së tepërmi me këto ardhje dhe plotësime të rëndësishme të organikës. “Kjo merkato ka si synim themelor ruajtjen e përsosjen edhe më shumë të ciklit të vazhdimësisë së rezltateve tona pozitive, – nënvizoi trajneri Gjonaj. “Ne nuk do të heqim dorë nga objektivi ynë primar që të luftojmë deri në metrin e fundit të këtij sezoni për të bërë realitet ngjitjen e rikthimin e Egnatias në Kategorinë Superiore.