Janë luajtur mbrëmjen e sotme edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 10 të “Abissnet Superiore“-s. Egnatia u befasua në fund nga Skënderbeu. Iskandarliu shkundi rrjetën që në minutën e 2-të të ndeshjes, duke i dhënë rrogozhinasve një avantazh që qendroi deri në sekondat e fundit të ndeshjes. Kur Egnatia priste vetëm vërshëllimën e trefishtë për të festuar, ndodh e papritura. Juglindorët gjejnë rrugën e rrjetës, duke marrë kështu një barazim 1-1.
Ndërkohë në krahun tjetër, Partizani ka marrë një fitore minimale 0-1 kundër Teutës. Durrsakët shpërdoruan një 11 metërsh me anë të Filit, i cili i kushtoi shumë skuadrës. Ndeshja u vendos në minutën e 2-të shtesë, kur Albers Keko e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha fitoren Partizanit. Tashmë kampionët në fuqi janë në pikë të barabarta me Egnatian e vendit të parë, por kanë një ndeshje më tepër në dispozicion për të zhvilluar. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Mund të them që jemi të kënaqur me një pikë. Nuk është e lehtë me një kundërshtar si Egnatia. Sot ishim me dy mungesa. E ndjeva rëndësinë e mungesave. E kishim mundësinë për 2-1, por të mos harrojmë që edhe Engatia e kishte mundësinë. Në 5 minutat e fundit po mendoja si do rrinim në ekuilibër mbrapa dhe do të ishim të kënaqur edhe me një pikë. Kur u hap kampionati fituam 0-1 me Egnatian. Nga 6 pikë në total, kemi marrë 4. Kemi oshilacione, sepse akoma nuk kemi eksperiencë në Superiore dhe kjo është minus për ne. Por sot me barazim lojtarët e kuptojnë çfarë është e rëndësishme. Të rëndësishme janë pikët, sepse Superiorja është e vështirë“.
Braja (zv/trajner i Egnatias): “Ishte një moment shpërqendrimi. I mërzitur Tetova? Jo, ishte programuar që të dilja unë në intervistë që përpara ndeshjes. Ndërprerja e gjatë e ndeshjes ndikoi pak. U ftoh pak ndeshja. Por nuk dua t’ja vë fajin kësaj. Nuk duhet të pësonim nga ajo goditje këndi. Skënderbeu e rriti lojën në pjesën e dytë. Barazuan ndeshjen dhe nuk pati më minuta që ne të shënonim. Shënuam shpejt. Ky gol i shpejtë është edhe mirë, edhe keq. Sepse u ul pak motivimi”.
Abilaliaj (Partizani): “Na mungonte mentaliteti. Atë po e krijojmë me fitoret e njëpasnjëshme. Nuk mund të them që fitorja erdhi me lojtarët e stolit. Kemi qenë të cunguar nga gjendja fizike e lojtarëve. E rritëm intensitetin nga minuta e 60 e deri në fund. Merita i shkon lojtarëve. Çdo ndeshje e kanë vlerësuar nga fillimi deri në fund. Kjo gjë më ngroh. Përveç penalltisë dhe një goditjeje në portë, Teuta e ka pasur shumë të vështirë të vijë me lojë të rrjedhshme. Ka provuar vetëm me topa të gjatë. Më vjen keq që arbitrimi është bërë faktor, shumë faulla të padhënë. Cara pati rastin vetëm për vetëm me portierin, por nuk shënoi”.
Martini (Teuta): “Jam i zhgënjyer me rezultatin, jo me lojën. Në pjesën e parë kemi pasur shumë raste të pastra për të shënuar. Humbëm një penallti. Partizani nuk gjuajti asnjë herë në portë. Ajo për të cilën jam shumë i zhgënjyer, janë zëvendësimet. Më dhemb si humbje. Ato që duhen në këto momente janë pikët. Futbolli është edhe çështje fati. Penalltia e humbur dhe një gol aksidental në fund, nuk e prisja që mund të ndodhte diçka e tillë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/