Nexhipi: Presim dhe një sulmues, mendojmë për Europën e kampionatin

Nderim Nexhipi ka folur për situatën te Kukësi, ku merkato është tema në e nxehtë. Për “RTSH Sport”  drejtori sportiv i Kukësit ka treguar për afrimet, por nuk ka lënë jashtë fokusit dhe mundësinë për disa largime. Nuk lihen jashtë vëmendjes dhe emrat e përveçëm.

MERKATO – “E kemi thënë dhe në fund të sezonit që do tentojmë të marrim lojtarë që do e rrisin nivelin në skuadrën tonë. Do përforcohemi në ato reparte ku kemi nevojë. Trajneri sezonin e shkuar ka thënë se do në skuadër 18 lojtarë që mund të luajnë në formacion. Po mundohemi që t’ia plotësojmë kërkesat trajnerit”.

KONKURRENCA – “Kemi pasur një mundësi që të marrim portierin më të mirë në Kosovë në vitet e fundit. Kemi tre portierë të shkëlqyer. Frashëri kreu një ndërhyrje në dorë dhe trajneri kërkoi që të marrim dhe një portier tjetër për të qenë të sigurt, pasi është një sezon i gjatë dhe duhet të jemi të sigurt, kjo pasi luajmë dhe në Europë. Kemi tre portierë shumë të mirë, por trajneri do të vendosë se kush do të luajë. Për pjesën tjetër, kemi marrë një mbrojtës të djathtë dhe pasi të vijë trajneri të flasim me të e do të marrim një vendim”.

KOLIÇI DHE ALLA – ”Është normale që të kemi oferta për disa lojtarë. Sa i përket Allës dhe Koliçit, janë pjesë e rëndësishme e ekipit dhe do vijojnë të jenë pjesë e skuadrës deri sa t’u përfundojë kontrata”.

PËRGATITJET – “Ne do tentojmë që ta plotësojmë skuadrën 80-90% deri para Kupave të Europës. Presidenti kërkon që të shkojmë në grupe të Europa League. Është dhe pak fat në short, por duhet të kesh ekip shumë cilësor, pasi është shumë e vështirë të arrish grupet. Nuk po ndërtojmë ekip vetëm për Kupat e Europës, por dje për sezonin e ardhshëm, ku kërkojmë të marrim titullin kampion”.

SULMI – “Në listën tonë kemi 3 emra dhe synojmë që njërin ta sjellim këtu. E kam theksuar shumë herë që është tepër e vështirë që të gjendet një zëvendësues i Gurit, me atë që ka bërë këto muajt e fundit. Shpresojmë që ta mbyllim një transferim para se të shkojmë në Slloveni. Nuk mund të flasim për detaje pasi jemi në bisedime”.

MUSOLLI DHE BATHA  – “Musolli është një ndër mesfushorët më të mirë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur që e kemi në ekip. Është një lojtar me më shumë se 200 ndeshje dhe është shumë në planet tona. Emrat e tjerë që përmenden në merkato janë në normale në merkato. Për një rokadë mes Bathës dhe Musollit nuk ekziston mundësia, pasi Musolli është pjesë e padiskutueshme e Kukësit. Bathës i skadon kontrata, por në këtë moment nuk kemi asgjë konkrete. Unë tentoj të marr çdo lojtar që kërkon trajnerit dhe ka kualitet. Unë do mundohem të plotësoj kërkesat e trajnerit. Batha ka shumë kualitet”.

REXHINADO DHE PLAKU – “Rexhinaldo ka treguar cilësinë e tij me golat që ka shënuar, por me sa di unë është nën kontratë me Laçin dhe për Kupat e Europës. Plakun e njoh mirë dhe them se do ishte luks për çdo ekip ta kishte në skuadër. E respektoj shumë. Do të mësohet ditën e ardhshme se çdo të ndodhë, pasi di që ka dhe interes nga jashtë vendit”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *