Nexhipi: Do ndërtojmë akademi në tre vitet e ardhshme

Drejtori i Kukësit: “Qormemeti ka bërë një punë të mirë me Gurin dhe e dimë se do të bashkëpunojmë dhe në të ardhmen. Pakult e ka bërë që një muaj më parë listën e dëshirave në merkato”

 

Nderim Nexhipi ka futur një tjetër frymë në klubin e Kukësit. Që pas emërimit të tij në janar si drejtor sportiv, përkrah Peter Pakult, duket se diçka ka ndryshuar në klubin verilindor. Vetë Nexhipi, në një intervistë për ”Telesport” ka komentuar muajt e parë si drejtor, por edhe sezonin me Kukësin e më gjerë. Drejtori i Kukësit flet për të ardhmen e skuadrës verilindore, por dhe për dënimin e Skënderbeut.

POSTI I DREJTORIT – “Për mua ishte një fillim i iri, pasi në verën e shkuar e mbylla me futbollin e luajtur. Ishte një mundësi e mirë që m’u dha te Kukësi të jem drejtor sportiv. E pranova këtë sfidë, m’u duk interesante dhe e shoh veten në këtë drejtim. Eksperiencë e re, pasi nuk jam në fushën e blertë, por jam pas tryezës së punës. Nuk është se kemi bërë arritje të mëdha, apo gjëra të mëdha, por ka qenë një fillim i mbarë. Kam mundësinë që të kem një trajner si Pakult, një profesionist i vërtetë. Gjërat kanë shkuar mirë dhe nuk jemi të pakënaqur. Ekipin e kemi pasur në një nivel të mirë, por nëse do të ishim në finale e të merrnim Kupën do të ishte mjaft mirë. Kemi arritur atë objektiv që kishim për të kapur vendin e dytë, pasi vendi i parë ishte i paarritshëm. Jemi me meritë në vendin e dytë. Punën tonë e vlerësojnë të tjerët. Po mundohemi të bëjmë mirë”.

NDYSHIMET – “Nuk kam qenë pjesë e klubit dhe nuk mund të flas, pasi janë bërë gjërat në mënyrë tjetër. Që kur kemi ardhur këtu jemi munduar të marrim më të mirën nga lojtarët. Kur erdhi trajneri Pakult i tregova se me emra skuadrën e kishim aty, i pata sqaruar se në këndvështrimin tim skuadra ishte e plotë, por mungonte vetëbesimi. Në futboll kur e ke vetëbesimin bën gjëra të mëdha dhe ajo ishte pika kryesore. Me trajnerin u kthye vetëbesimi dhe lojtarët besuan te kualiteti i tyre. Besoj se ky ishte çelësi i suksesit”.

PAKULT – “Bëmë një fazë të mirë në Turqi. U ndeshëm me skuadra shumë të forta dhe zhvilluam ndeshje shumë të mira. Kemi folur shumë me të gjithë lojtarët e me trajnerin. Pakult nuk i ngarkon shumë lojtarët, por kur i duhet të ndërhyjë flet edhe personalisht, por edhe përmes kapitenit dhe zëvendëskapitenit. Kemi biseda të shumta, por sidoqoftë çelësi i vetëbesimit janë rezultatet. E nisëm mirë në Shkodër dhe si ish-futbollist e di se po e krijove vetëbesimin, të tjerat ecin vetë”.

SHITJA E GURIT – “Me shitjen e Gurit mendoj se bëmë shumë punë të mirë, pasi çdo klub duhet të funksionojë kështu. Me të ardhurat nga transferimit të Gurit sigurohet një pjesë e buxhetit të sezonit të ardhëm. Të gjithë ne që jemi në klub besoj se kemi bërë një punë të madhe me këtë transferim. Guri ka bërë gjëra të jashtëzakonshëm këto 5 muaj, duke shënuar gati në çdo ndeshje dhe na e ka bërë edhe ne më të lehtë. nëse shohim statistikat dhe ndeshjet e tij është më e lehtë që të tentosh që të bësh një transferim si këto”.

MERKATO – “Jemi me pushime, madje dhe Pakult ka ikur në Austri. Jemi çdo ditë në kontakt. Kemi 1 muaj që e kemi hartuar listën e lojtarëve që do tentojmë të afrojmë. Do kërkojmë të afrojmë çdo lojtar që ka kualitet dhe bën diferencën në Superiore. Me këtë vizion do të futemi në merkato. Do kërkojmë të marrim lojtarë që Pakult ka nevojë t’i ketë në skuadër. Trajneri do në çdo ndeshje të luhet loja e tij. Do tentojmë të marrim lojtarë që rrisin nivelin e ekipit”.

LISTA – “Do mundohemi të marrim lojtarë nga Superiorja. Pakult më ka dhënë disa emra të cilët mendon se do na ndihmonin. Do ketë afrime edhe nga jashtë, pasi duam që ta rrisim sa më shumë nivelin e lojës te Kukësi. Në Europë dihet se çfarë kërkohet dhe çfarë niveli ka. Kur kemi trajnerin dhe lojtarët duhet të rritemi në çdo aspekt. Kemi nisur negociatat dhe deri me 15 qershor duam ta kemi kompletuar skuadrën”.

EUROPA – “Kemi pasur shumë biseda me trajnerin dhe presidentin dhe do të shohim sesi do të shkojnë gjërat. Tani presim se ku do të luajmë, në Champions apo në Europa League”.

LARGIMET- “Nga Kukësi nuk do të ketë shumë largime, por më shumë lojtarë që do afrohen. Do të dihet shumë më shumë deri para nisjes në Slloveni”.

BASHKËPUNIMI ME QORMEMETIN – “Me Qormemetin njihem prej 15 vitesh. Jemi shokë prej kohësh. Ai po bën një punë shumë të mirë dhe e ka treguar vitet e fundit, sidomos në Shqipëri, jam në dijeni për gjërat që ka bërë në Europë. Po bën një punë të mirë dhe me transferimin e Gurit ka qenë shumë korrekt në çdo aspekt. Nuk do të jemi të lidhur vetëm me Qormemetin, kemi njohje kudo. Ai ka bërë një punë të mirë me Gurin dhe e dimë se do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen, por nuk jemi të lidhur vetëm me të. E falënderoj për transferimin e Gurit dhe besojmë se do të bëjmë gjëra të mëdha së bashku”.

AKADEMIA – “Po mundohemi të bëjmë një projekt që në 3 vite të nxjerrim lojtarë të dobishëm për skuadrën e parë. Do tatojmë që ta arrijmë këtë gjë gjatë këtyre 3 viteve. Është në planet tona në diskutimet që kemi pasur me presidentin dhe trajnerin e urojmë që të konkretizohen këto gjëra. Do mundohemi që te akademia të plotësojmë çdo kusht, që të kenë trajnerët e duhur dhe në momentin e duhur t’i marrim në skuadrën e parë ata që e meritojnë”.

KAMPIONATI – “Mendoj se ka qenë një kampionat i bukur. Skënderbeu kishte një ecuri të mirë si në Kupat e Europës, ku duhet ta respektojmë, ashtu edhe në kampionat. Me meritë kanë marrë titullin kampion. Sa i përket skuadrave të tjera, befasia për mua ka qenë Laçi. Një skuadër me lojtarë të rinj dhe e kanë siguruar Europën me një buxhet shumë më të ulët se Flamurtari apo Partizani. Them se ka qenë një sezon pozitiv. Si vitin e shkuar që u largua Tirana, këtë vit iku Vllaznia. Kamza nuk e ka merituar të binte, por deri në fund nuk ishte asgjë e qartë. Vllaznia ra dhe do i duhet 1 vit që të rikthehen. Kanë probleme në organizim atje dhe mund të jetë një kthesë për ta. Gabimet e bëra nuk do lejohen më të përsëriten”.

DËNIMI I SKËNDERBEUT – “Në Shqipëri ekipet në nivelin e Skënderbeut nuk janë të shumta dhe normalisht që do të jetë humbje. Ata janë futur dy herë në grupet e Europa League-s. Do të ishte humbje e madhe për të gjithë nëse dënohet dhe shpresoj të mos ndodhë. Do ishte humbje e madhe për kampionatin tonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online