Larson Ferati është një prej atyre talenteve që pritet shumë në të ardhmen. Futbollisti nga Peja ka vendosur rekord në Kosovë, si lojtari më i ri (vetëm 14 vjeç) që shënon në kampionat. Nisur nga paraqitjet e tij, Ferati ka pasur interes të gjerë nga klube të njohura në Europë, por në fund zgjodhi Bajer Leverkusenin. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një prononcim për “Report TV”, ku siguron se nëse do i duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Shqipërisë, atëherë do të vendoste të vishte fanellën kuqezi.
“Pas performancës dhe skautëve që më kanë përcjellë në Kosovë, nuk kishte interesim vetëm nga Bajern Leverkuseni, por edhe nga 3 klube të mëdha të Bundesligës gjermane. Po ashtu ishte interesimi edhe i një klubi shumë të madh në Angli. Pres që të shënoj sa më shumë gola me ekipin U19 të Bajernit dhe të ndihmoj ekipin në çdo aspekt që është e mundur. Sa i përket debutimit me ekipin e parë, shpresoj që do ta kem këtë vit.
Faktikisht unë jam kosovar dhe me dëshirë do të luaja me Kosovën. Edhe pse deri tani nga përzgjedhja e stafit dhe trajnerëve nuk kam qenë aspak i kënaqur. Falë Zotit ai staf tani është ndryshuar, flas për trajnerët e grupmoshave. Unë e ndjej veten shqiptar, por nga Shqipëria nuk kam pasur ende asnjë ofertë. Nëse do të kisha kushtin për të zgjedhur mes dy Federatave, atëherë me plot kuptimin e fjalës e them që do ta kisha zgjedhur Shqipërinë”, ka deklaruar Larson Ferati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/