Frika nga Koronavirusi dhe rastet e shtuara në Itali nuk kanë paralizuar vetëm futbollin dhe jetën normale, por njëkohësisht edhe televizionet. Si asnjëherë më parë, emisioni “Che tempo che fa” nuk kishte shikues që ta ndiqnin transmetimin nga afër. Kjo pas vendimit të ardhur nga vetë televizioni i “Rai 2”, që e mori këtë masë pas përhapjes me shpejtësi të Coronavirusit.
I ftuar në studion e boshatisur ishte ish-presidenti i Interit, Masimo Morati. Një rrëfim të gjatë ka dhënë numri një që ka pasur dikur zikaltrit, për të treguar edhe disa histori të veçanta.
“Steven Zhang është djal shumë inteligjent, i sjellshëm dhe me ndjeshmëri. Mund të themi se jemi në duar të mira. Kurrë nuk kam menduar që të riblejë Interin, megjithëse kam njerëz që ma sygjerojnë. Por tani historia ka kaluar në duart e njerëzve që e shohin të ardhmen në mënyrën e duhur. Sigurisht që do të doja që të isha në njëjtën moshë si atëherë.(qesh)
Gruaja ime e ka mësuar se e kam blerë Interin nga televizori. Kam folur me të së bashku me fëmijët, sepse të gjithë kishim frikë që t’ia tregonim gruas sime. Pastaj filloj që të mësohej, blerja zuri vend. Shkoja në zyrë dhe e bëja ashensorin që të mos punonte kur më telefononte gruaja (qesh). Kur kam marrë Figon isha në plazh. Ne kemi rënë dakort për disa gjëra dhe unë doja të isha i sigurt për pjesën e llogarisë së transferimit, prandaj e mora firmën e tij në një pecetë. Pastaj të nesërmen kemi shkuar te zyra”, ka thënë Morati. /Sport Ekspres/