Indrit Tuci është një nga lojtarët shqiptarë që ka spikatur te Lokomotiva e Zagrebit dhe pritet të bëjë një karrierë të mirë në të ardhmen. Talenti 20-vjeçar ishte i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Sport Magazine” në “RTV Ora”, ku ka folur më tepër rreth sfidës së sotme mes Spanjës dhe Kroacisë, si dhe ka ndarë të dhëna në aspektin personal te Lokomotiva e Zagrebit.
“Tifozët kroatë të gjithë kanë dalë në rrugë, asnjë nuk është në shtëpi. Pavarëisht se temperaturat janë të larta, 31 gradë. Ndeshja është shumë e fortë, por mendoj se Spanja me emrin e madh është më favorite se Kroacia. Ka grupin shumë të fortë, jo si vitet e tjera kur ka pasur individë shumë të mirë. Modriç nuk mundet i vetëm kundër Spanjës, i duhet ndihma e skuadrës. Kroacia nuk është njësoj si në 2018-n, ishte më e motivuar.
Në planin personal, jam dëmtuar. Kam edhe 4-5 muaj rikuperim dhe besoj jam gati. Kam edhe dy vjet kontratë me klubin. Shumë shqiptarë te Lokomotiva? Kemi lënë emër të mirë këtu prandaj“, ka thënë Indrit Tuci./Halit Delibashi-Sport Ekspres/