Klubet shqiptare nuk zënë mend. Edhe pse Kategoria e Parë prodhon plot lojtarë, mjafton të kujtojmë emra si Sidibe, Kamara, Uzuni e Blerim Krasniqi, ngjitur këtë sezon në Superiore, sërish nuk kemi besim te lojtarët e së Parës dhe preferojmë të investojmë tek të huaj të panjohur, ose te lojtarë që kanë 10 vjet që qarkullojnë në Superiore.
Kështu, një emër si Albi Çekiçi detyrohet të shkojë në Kosovë, te Llapi.
Klubi nga Podujeva është treguar më i shkathti, duke arritur me marrëveshjen me sulmuesin nga Pogradeci, i cili i shtohet kolonisë së futbollistëve të transferuar nga Shqipëria në Kosovë, pasi këtej nuk i shohim.
Vetëm 25 vjeç, Çekiçi ka luajtur thuajse gjatë gjithë karrierës me Pogradecin dhe në sezonin e sapombyllur shënoi 17 gola në 22 ndeshje, të gjithë gola të ndershëm, jo nga ata që dhurohen në 4-5 javët e fundit, kur futbolli jonë qelbet era nga koka te këmbët.