Armando Sadiku nuk është pjesë e Kombëtares Shqiptare për këto ndeshje të marsit që janë programuar për kuqezinjtë sa i përket kualifikueseve të Botërorit. Frika është e madhe për sulmuesin shqiptar se pas largimit te Bolivari, rrezikon seriozisht edhe vendin në Kombëtare. Kjo pasi në të njëjtën kohë është shtuar së tepërmi edhe rivaliteti në këtë aspekt.
Së fundmi Sadiku ka zhvilluar një rrëfim të gjatë në Bolivi, ku “Sport Ekspres” e zbulon më poshtë. Nga t’ia nisim? Që nga kritikat e shumta nga Shqipëria që erdhën për Armandon pasi zgjodhi Bolivarin. Veten e konsideron si kameleon pasi di shumë gjuhë dhe mund të përshtatet kudo.
“E vërteta është se jam shumë i lumtur. Kur erdha këtu në ditët e para isha pak i frikësuar për atë që do të provoja si eksperiencë të re. Njerëzit këtu më kanë pritur mirë, më kanë ndihmuar shokët e ekipit dhe stafi teknik. E vërteta është që jam i kënaqur. Nuk jam në ankth, thjesht kam shumë dëshirë që të shënoj për të ndihmuar ekipin. Kur u futa në ndeshjen e parë, rezultati ishte mbyllur me kohë, thjesht duhej të lija emrin tim te tabela e golashënuesve. Në ndeshjen e dytë isha shumë mirë, si fizikisht edhe në aspektin psikologjik. Këtë më ka thënë edhe trajneri.
Si e pritën në Shqipëri vendimin tim që firmosa me Bolivar? Më kanë kritikuar shumë. Nuk jam grumbulluar nga Kombëtarja. Në vitet e fundit unë kam pasur gjithmonë luhatje te klubet ku kam luajtur, por te Kombëtarja kam qenë gjithmonë shumë mirë. Më kanë kritikuar për arsyen që ika aq larg, në Bolivi. Unë e di që jam në një klub shumë serioz, profesional dhe që po rritet çdo ditë. Këtu ka një projekt të madh. Njerëzit flasin, por unë do të bëjë mirë këtu dhe do ta shohim, do të më ftojnë prapë në Kombëtare, me siguri.
Nuk e mendoja se do të luaja në futbollin spanjoll. Unë isha shumë mirë te Legia e Varshavës, ishim në vendin e parë, kur papritur më vjen ftesa e Levantes. Ishte një ëndërr pasi jo shumë lojtarë shqiptarë kanë luajtur në La Liga. Nuk mund të thoja jo. Kam luajtur në shumë vende, tani nuk kam fare problem për t’u përshtatur se di shumë gjuhë. Komunikoj lehtësisht me lojtarët dhe trajnerët, mund ta quaj veten si një specie “kameleoni” (qesh).
Eksperienca e fundit në Turqi më ka kushtuar shumë. Është një vend me entuziazëm të madh, por që i duan gjërat menjëherë. Unë në javët e para nuk isha gati dhe më futën menjëherë në fushë. Kërkonin direkt gola, u dëmtova sërish dhe nuk kalova moment të mirë. Por më kushtoi shumë”, u shpreh Sadiku. /Sport Ekspres/
Sadikut nuk ja ven kush në pyetje dashurinë dhe përkushtimin për fanellën kuqezi, por dashuria dhe përkushtimi nuk mjaftojnë. Kur sorollatesh ÇDO VIT nga një ekip tek tjetri pa arrit kurrë ti bësh vend vetes për më shumë se 2 sezone, ka diçka një nuk shkon në nivelin sportiv. Kombtarja ka nevojë për nivel sportiv të lartë dhe të VAZHDUESHEM dhe s’ka mundësi ta mbash gjallë nivelin e lartë duke u varros në Bolivi.
Nejse, pastë jetë të mbarë atje ku është.