Edhe pse Italia nuk ka zbritur në stërvitjen e zakonshme që skuadrat udhëtuese zhvillojnë në stadiumin ku do të luhet ndeshja (shkak terreni i rëndua këto ditë nga shiu dhe që është duke u rregulluar për të qenë në kushtet optimale ditën e ndeshjes), megjithatë, tifozët e pasionuar të katër herë kampionëve të botës, do të mund të shohin trofetë që skuadra axurre ka ngritur (1934, 1938, 1982, 2006). Ambasada e Italisë në Tiranë dhe FSHF do të ekspozojnë 4 kupat e Botës, që “të kaltrit” kanë fituar, në një pavion të veçantë në Teatrin “Migjeni”.
Kjo nismë, e parashikuar me rastin e ndeshjes Shqipëri-Itali, e vlefshme për kualifikueset e zonës së Europës për në fazën finale të Kupës së Botës “Rusi 2018”, synon të vërë theksin e të vlerësojë ndeshjen e parë zyrtare në historinë e Kombëtares italiane të futbollit në Shqipëri. Ekspozita do të jetë e hapur dhe pa pagesë për të gjithë tifozët e të dy skuadrave kombëtare të futbollit, në linjë me filozofinë e “FIGC”-së se kupat iu përkasin të gjithëve.