Ky sezon ishte ai që Vedat Muriqi kishte menduar se do të kalonte me fanellën e Lacios. Bardhekaltrit këmbëngulën shumë për të blerë kartonin e sulmuesit shqiptar, teksa shpenzuan një shumë të majme parash për ta marrë nga Fenerbahçe pas periudhës fantastike të zhvilluar në Turqi. Por shifrat kanë folur kundër “piratit” në Itali, ku numëron vetëm 2 gola të shënuar.
Por pavarësisht formës jo të mirë që po kalon, Muriqi vijon të mbetet ende në vëmendjen e klubeve europiane. Sipas asaj që raporton “Corriere della Sera”, Premier League nuk e ka harruar futbollistin shqiptar. Në verë Burnley, Tottenham dhe Manchester United ishin të interesuara për shërbimet e tij, ndërsa tiparet e tij fizike e bëjnë të përshtatshëm me futbollin anglez. Megjithatë dëshira për ta sjellë Muriqin në Anlgi ekziston ende dhe mbetet për tu parë nëse Lacio do të heqë dorë shpejt prej tij, duke marrë parasysh edhe situatën në të cilën ndodhet te klubi bardhekaltër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/