Edmond Kapllani ka folur para ndeshjes mes Polonisë dhe Shqipërisë. Ish-sulmuesi i Kombëtares ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Kapllani është i bindur se Myrto Uzuni do të shënojë kundër polakëve, ndërsa nga ana tjetër vlerëson punën e Silvinjos deri tani.
“Jemi shumë kurioz të shohim këtë Kombëtare dhe këtë trajner. Mendoj se potenciali është aty duke parë lojtarët e thirrur kundër Polonisë. Të gjitha të mirat janë, tani duhen vetëm rezultatet. Ka ndërthurje mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Trajneri luan me ekipin, është shumë i motivuar. Trajnerët që janë komunikues dhe emocional i japin një shtysë lojtarëve edhe në stërvitje.
Duhet që grupi të funksionojë për të dalë me rezultat pozitiv nga Polonia. Silvinjo është trajneri i ri dhe shumë i uritur për rezultate, do të punojë në shumë detaje, edhe nga ana psikologjike. Kush e zgjidh ndeshjen? Myrto Uzuni vjen nga një moment shumë i mirë, gati gjithmonë për të shënuar një gol spektakolar. Unë shoh Uzunin më tepër që mund të zgjidh ndeshjen”, tha Kapllani. /Sport Ekspres/