Në Lushnjë tifozët janë lodhur: Pse nuk privatizohet klubi?

Një herë e një kohë Lushnja kishte një ndër tifozeritë më të çmendura në Shqipëri, aq sa të futeshe në “Roza Haxhiu”, me bileta apo nga hekurat, ishte një mision shumë i vështirë dhe duhej të paraqiteshe në stadium një orë përpara ndeshjes, më e pakta.

Vitet ’90 janë harruar, vitet 2000 kanë qenë një makth dhe dekada e fundit ka qenë identike, shumë zvarritje, pak momente feste, ndonjë finale me stadiumin plot në Kategorinë e Parë, herë zhgënjim e herë buzëqeshje, por në Superiore asnjë “krismë”.

Tifozët lushnjarë janë lodhur, kanë shumë mllef, pasi nuk durojnë të shohin një skuadër të shthurur, me akuza mes lojtarëve e drejtuesve, lojtarë që luajnë futboll prej 2 dekadash dhe asnjë talent të ri, ndërkohë që klubi mbetet në menaxhimin e Bashkisë, që natyrisht nuk ndërton dot ekip dinjitoz, sa për faktin se nuk është e aftë, aq edhe për faktin se nuk ka para,

Në Lushnjë nuk duan kreun, nuk duan të kapin Skënderbeun e Flamurtarin, por të paktën një mini-Kamzë a Luftëtar mund ta ndërtonin edhe në Lushnjë.

Ja çfarë shkruan një tifoz lushnjar, në adresën e redaksisë, duke shfryrë nervat ndaj drejtuesve të klubit lushnjar!

Jeni për të ardhur keq. Turp për ju drejtues që talleni me lekët e lushnjarëve.

Ekipi nuk është prona juaj që të bëni ç’të doni dhe si të doni. Nëse në fillim përgjegjësinë e mori trajneri Bano dhe u largua, po tani kush është përgjegjës? Mendimi im është që janë drejtuesit më lart dhe jo trajneri. Jo lojtarët. Mbase lojtarët nuk janë në nivelin e duhu, po kjo është për shkak të financave të dobëta, që edhe ne tifozët i dimë.

Por nëse nuk e mbani dot me financa të shëndosha klubin, mos e mbani peng atë!

Mos e përdorni për interesa personale. Mos e përdorni për interesa partie. Boll më me servilizëm, sepse mbas kandidatit për president të FSHF-së shkoni, por në stadium nuk e dini nga është rruga. E vetmja gjë që dini është ta “pasoni” fajin sa te njëri, sa te tjetri.

Zgjidhja që të gjithë e dimë është shitja e klubit, 100% te aksioneve dhe jo 49% siç thotë bashkia, sepse askush nuk investon nëse nuk bëhet aksioneri kryesor.

Me këtë rast, edhe bashkia shpëton nga kjo barrë, që sipas bashkisë është sakrificë e saj. Nuk po ua kërkon njeri këtë sakrificë, por shiteni klubin dhe rrini larg futbollit.

Me ato lekë mund të bëni gjëra më të bukura për qytetin dhe lejoni biznesmenët sportdashës të investojnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *