Bardhezinjtë kanë mundësi të sigurojnë një biletë për në kupat e Europës përmes Kupës së Shqipërisë, por edhe kampionatit. Dy ndeshjet e radhës vendosin shumë
Fitore me Flamurtarin dhe vendi i tretë për skuadrën e trajnerit Gentian Mezanit. Triumfi i fundit me vlonjatët nuk ishte aspak i lehtë, sepse Flamurtari ka bërë një kampionat mjaft të mirë dhe është një skuadër mjaft kompakte. Vlonjatët nuk kishin pësuar 4 gola në asnjë ndeshje këtë sezon, por bardhezinjtë, me Rexhinaldon dhe Uzunin, arritën të merrnin pikët mbi të gjitha. Edhe pse me pikë të barabarta me Flamurtarin, ndeshjet direkte u japin të drejtën kurbinasve të mbajnë vendin e tretë. Në fakt, rruga për në Europë duket më e shkurtër nga Kupa e Shqipërisë, që është një objektiv i rëndësishëm i Laçit, por edhe nga kampionati janë mundësitë të garantohet pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare. Mjaft interesant është fakti se në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë janë pikërisht katër skuadrat, që aktualisht renditen në katër vendet e para të kampionatit, që do të thotë se nëse në fund do të jenë po këto skuadra në këto katër vende, në Europë shkojnë të gjitha, pavarësisht se kush e fiton Kupën e Shqipërisë.
Nesër Laçi luan ndeshjen e javës së 25-të me Lushnjën, në fushën e kësaj të fundit. Laçi në letër duket favorit për këtë takim, pasi dihet që lagunarët janë në vend të fundit në klasifikim dhe vetëm matematika i mban ende në Superiore. Pak ditë më vonë, mysafire në stadiumin e Laçit do të jetë Kamza, që nuk po kalon një moment të mirë në këto javë të fundit. Laçi i ka fituar dy ndeshjet e fundit në shtëpi. Nëse arrin të kalojë me sukses edhe këto dy sfida ta radhës, që luhen brenda pak ditësh, bardhezinjtë do të hedhin një hap të rëndësishëm për të konsoliduar pozitat në vendet e para në klasifikim.
Tani vëmendja është e gjitha te ndeshja që do të luhet nesër në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku në fazën e parë kurbinasit fituan bindshëm dhe detyruan trajnerin Artan Bano të jepte dorëheqjen. Tani kundërshtari ka mbaruar punë me Superioren dhe Laçi i ka të gjitha shanset të marrë sërish 3 pikët.