Marrëdhënia mes Gasperinit dhe Papu Gomez nuk po shkon drejt përmirësimit. Qetësia mes të dy palëve ka humbur prej disa kohësh, megjithëse motivi i saktë i gjithë këtij ngërçi nuk është zbuluar ende.
Kapiteni i zikaltërve ka përdorur rrjetin e tij social në “Instagram” për të komunikuar me tifozët, të cilëve u detyrohet në një farë mënyre një shpjegim për situatën në të cilën ndodhet me trajnerin e tij. Gomez shkruan se e vërtetë do të dalë në shesh pas largimit të tij, duke nënkuptuar kështu se viti i ardhshëm me siguri mund ta gjejë larg Bergamos.
“Të dashur tifozë të Atalantas, ju shkruaj këtu sepse nuk kam mënyrë tjetër për të mbrojtur veten time dhe për të folur me ju. Thjesht doja t’ju thoja se kur të largohem do e mësoni të vërtetën e gjithçkaje. Ju më njihni mua dhe e dini se kush jam. Ju dua, kapiteni juaj”, shkruan Papu Gomez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/