“Ne kemi lënë dy pikë”! Stavri Nica nuk del sërish në intervistë, Klevis Hima: E pësuam në momentin tonë më të mirë

Egnatia ia ka dalë që të marrë pikë kundër Laçit. Ekipi i Tetovës ishte me 10 lojtarë që nga minuta e 25 pasi Zejnullai u ndëshkua me karton të kuq. Pas ndërhyrjes së gabuar kundër Roganovic, arbitri e largoi menjëherë nga fusha. Por pavarësisht se luajtën me 10 lojtarë, futbollistët e Egnatias ishin të rrezikshëm po aq sa ata të Laçit. Goli i parë erdhi nga kurbinasit me nisjen e pjesës së dytë, teksa Egnatia ishte në moment më të mirë.

Guindo arriti të shënonte duke treguar nuhatjen e madhe që ka me golin. Avantazhi i Lacit nuk do të zgjaste shumë pasi nga krahu tjetër do të akordohej penallti. Gentian Selmani zgjodhi që të luante me nervat e Xhekson për ta nervozuar, duke imituar disi portierin e Argjentinës. Por në fund Xhekson arriti ta mposhte. Redi Kasa shpërdoroi mundësinë e artë për t’i dhënë avantazhin Egnatias në minutën e 80 teksa me portën e boshatisur, e nxori topin jashtë. Në fund ishte Mazrekaj dhe Spahiu që iu afruan golit te Laci. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Klevis Hima(zëvendës trajneri i Lacit): “Keqardhje që nuk e fituam. Ishte një duel direkt për Europën. Ne kemi lënë dy pikë, kishim një lojtar më shumë. Egnatia mendoi vetëm mbrojtjen kur u ndëshkua me të kuq. Pastaj ne futëm Mazrekajn, tentuam me të. Shënuam, por pësuam një gol që të vjen, ishim në momentin më të mirë tonin”.

Tetova: “Mund ta kishim fituar ndeshjen me rastin e Kasës. Por jam shumë i kënaqur. Komplimentet djemëve se kanë dhënë shpirtin në fushë, nga i pari te i fundit. Kartoni i kuq i Zejnullait? Duhej të ishte karton i verdhë, nuk kishte kontakt me takë. Nëse do të ishte kështu, lojtari i Lacit do të kishte dalë nga loja. Cunat janë për t’u përgëzuar pasi kemi duruar për shumë minuta me një lojtar më pak”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *