“Në futboll duhet të ketë pak “xixa“, kemi harmoni të tepërt“, çudit Ibrahimi: Na duhet një zënkë

Ka përfunduar me rezultatin 0-0 ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë. Festivali i golave në ndeshjen e parë në Shkodër duket se ka trembur skuadrat, të cilat pas atij rezultati 6-3 kanë kyçur portat e tyre. Kuqeblutë kanë qenë më kërkues në fushën e lojës në pjesën e dytë, duke i shkuar disa herë pranë golit, por pa mudur ta shtyjnë topin në rrjetë. Pas përfundimit të takimit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Ibrahimi (Dinamo): “Duke u nisur nga eksperienca që e kam gjatë gjithë kësaj kohe mund të them se harmonia e tepërt në ekip, është ekip që në 5 muaj nuk ka pasur asnjë lloj zënke mes futbollistëve. gjë që është e mirë, por në futboll dihet që në futboll duhet të ketë pak, ne i themi “xixa“. Kështu që ka ndikuar pak edhe se kemi qenë shumë të mirë. Futbolli do pak ashpërsi, qoftë në stërvitje, qoftë edhe mes njëri-tjetrit të kemi pak konkurencë më të fortë që të ketë ngritje.

Duhet të falenderojmë presidentin për përkrahjen e dhënë edhe në këtë situatë. Ka qenë mjaft korrekt me ne. Prandaj i jemi atij pak borxhlinj. Por besoj se do t’ja kthejmë. Për sa i përket dhomave të zhveshjes, ndoshta kjo harmonia e tepërt ndikon disi negativisht. Duhet ta nisim ta bëjmë një zënkë. Me kë do të bëja unë zënkë? Po nuk e kthejnë fjalën. Duhet ta kthejë njëri fjalën që të nisi një zënkë“.

Shkëmbi (Dinamo): “Mendoj se kryesorja ishte dëshira, impenjimi dhe përqendrimi i lojtarëve. Bëmë një pjesë të parë goxha të mirë. Patëm rastet tona për të shënuar. Për fat të keq nuk mund të shënojmë edhe me raste të pastra. Po e quaj një barazim që të paktën nga ana psikologjike do na bëjë mirë për situatën që po kalojmë. Përsëri vazhdojmë të kemi disa probleme. Disa lojtarë, si Maliqi dhe Bardhi nuk janë në kondicionin maksimal të tyre. I bie që kanë qenë sulmuesit shumë më të mirë se portierët. Komplimenta shumë Simonit. Ne stafi dhe klubi e dinim sa i mirë është ai në portë. Do të donim që ai të luante më shumë, por me kaq portierë të mirë secili duhet të presi shansin e tij. Ashtu si e priti Bakaj shansin me dëmtimin e Harizajt. Klubi asnjëherë nuk e ka humbur besimin te të rinjtë. Nuk e shikojmë merkaton si shpëtim, mund të na ndihmojë në ndonjë repart“.

Brdariç (Vllaznia): “Të krahasosh me një ndeshje tjetër nuk është e drejtë. Është një kohë tjetër dhe një sfidë tjetër. Kemi luajtur jashtë fushe kundër një ekipi që nuk ka marrë rezultate pozitive në ndeshjet e fundit, por kjo nuk do të thotë që nuk ka kualitet. Ka lojtarë me shumë kualitet. I thashë lojtarëve që isha kundërshtarë se si do ta përballonin sfidën ndaj Dinamos. Gjërat nuk shkuan aq mirë si në pjesën e parë. Fola me futbollistët në pushimin mes pjesëve dhe i thashë që nuk mund të luajmë në këtë mënyrë. Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë dhe patëm më tepër raste. Pavarësisht se nuk arritëm të shënonim.

Duhet të kishim fituar më shumë duele, sidomos kur ka numër të barabartë futbollistësh në fushë. Ishte thelbësore që në pjesën e parë nuk fitonim topat e dytë. Na penalizoi shumë. Nuk arritëm të zhvillonim lojën tonë.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *