Gjithçka që ndodh, e ka një arsye. Shumë kritika kishte për Dinamon, që sikur të mos i mjaftonte situata jo e mirë, do t’i dëmtohej edhe portieri Harizaj. Menjëherë nisi nxehjen Edvan Bakaj, duke pritur me padurim që të hynte në fushën e blertë.
I dha një dorë të madhe skuadrës për ta rikthyer në elitën e futbollit shqiptar, por nuk mund t’i gëzohej arritjes për shkak të projektit dhe merkatos mes shumë hyrje-daljeve te kryeqytetasit. Por që në ndeshjen e parë, Bakaj e tregoi sesa vlen.
“Rininë e dytë” e përjetoi kundër Tiranës në Kupë. Tre penallti të pritura, duke ndalur emra si Limaj dhe Xhixha, ndërsa arriti që të tundte edhe rrjetën nga 11-metrat. Për të kaluar te ndeshja e djeshme kundër Egnatias. Dinamo kishte mundësi të mira për të fituar, ashtu sikurse edhe për të humbur.
Nga 11-metrat, sërish ishte Edvan Bakaj që i mohoi golin e dytë sulmuesit Pedro Augusto. Por çfarë mund të ndodhte nëse Dinamo do të ishte eliminuar nga Kupa me Tiranën dhe nëse do të kishte humbur në ditën e djeshme? Me siguri që situata nuk do të ishte e njëjtë, për këtë arsye duart e Bakajt kanë fuqi të madhe për të shpëtuar me ndërhyrjen e saktë, si të kirurgut.
Problemi më i madh do të jetë me rikthimin nga dëmtimit të Harizajt. Nga njëri-krahë është portieri që ka të ardhmen përpara dhe po investohet për të, ndërsa në tjetrën, është njeriu që e ka shpëtuar në momentet e vështira. /Sport Ekspres/