Arben Dervishaj është shpallur i pafajshëm nga GJKKO-ja. Zv. Presidenti i FSHF-së u arrestua thuajse një vit më parë për vit më parë për çështjen e inceneratorëve të Fierit. Por inxhinieri 62-vjeçar është njohur me vendimin e gjykatës, e cila e ka cilësuar si të pafajshëm. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” se ka besuar gjithmonë në pafajësinë e Dervishajt. Ai shton se e pret që të vazhdojnë bashkëpunimin në projekte të tjera në të ardhmen.
“Kemi pritur me durim dhe qetësi thuajse prej një viti që drejtësia të thoshte fjalën e saj për një nga kontributorët tanë më të rëndësishëm, zv.presidentin e FSHF e një mik e bashkëpunëtor si inxhinier Arben Dervishaj.
Ne, në FSHF për asnjë moment nuk kemi dyshuar në pafajësinë e inxhinierit me një karrierë të gjatë e kontribute të jashtëzakonshme në shumë prej veprave të ndërtuara në vendin tonë; ashtu sikurse një profesor me autoritet të padiskutueshëm në auditoret universitare.
Si mik, nuk kam dyshuar asnjëherë në pafajësinë e Benit; si personalitet në fushën e tij, shoqëria, politika e drejtësia do të duhet t’i jenë borxhli për burgun e padrejtë që kreu.
Ne në FSHF e mirëpresim sa më shpejt për të vazhduar me dhjetëra projekte infrastrukturore që inxhinier Arben Dervishaj i ka ndjekur me përpikmëri në çdo moment por edhe në sfidat e reja që kemi përpara që kërkojnë ekspertizën, eksperiencën dhe vendosmërinë e inxhinier Benit”, ka shkruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/