Ligji i ri i sportit ka sjellë vetëm ndryshimin e një paragrafi të një ligji ekzistent që nga viti 1994, i cili ka të bëjë me sponsorizimet. Sipas presidentit të “Ligës Profesioniste”, Edvin Libohova, kjo nuk është aspak ajo që vetë kryeministri Rama premtoi se do të ndryshonte.
Në një prononcim për “Top Channel” Libohova tregon se ligji i ri është larg pritshmërive të pasura më herët, ndërsa thekson se në këtë mënyrë kufizohet e drejta e shumë subjekteve për të mbështetur sportin. Ndërsa sa i përket pretendimeve të administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizit, thotë se investimet nuk kryhen duke u bazuar në ndryshime ligjore që pritet të vijnë dhe se çdo gjë merret përsipër në bazë të legjislacionit ekzistues.
“Ne kufizojmë të drejtën e shumë subjekteve për të mbështetur sportin. Nuk është e thënë që ai që ka fitimin më të madh ka dëshirën për të mbështetur sportin. Të drejtën për të dhënë autorizimet e ka drejtori i përgjithshëm i tatimeve, që është një nonsens.
Ne kemi kërkuar 30% të tatim-fitimit. Rëndësi ka që kjo formulë funksionon. Pra nëse në kuadër të 2-3 viteve ti shikon që këtë vit sporti merr 7 milionë, vitin tjetër 10 milionë, 12 milionë kemi një trend normal. Unë nuk pres që nëse ligji miratohet sot ti brenda këtij viti të dismbursosh nga buxheti i shtetit dhjetra milionë.
Kur ke marrë përsipër që të drejtosh një klub futbolli apo të një sporti tjetër, ti e ke marrë në kuadër të legjislacionit ekzistues. Kur i ke hyrë këtij procesi ke thënë ky është ligji, këto janë çmimet, ky është tregu. Ti nuk mund të ndërtosh një biznes me ndryshimet ligjore që pritet të vijnë, të cilat mund edhe të mos vijnë”, ka thënë Edvin Libohova./Sport Ekspres/