Dy ekipet e kryeqytetit kanë fituar në ndeshjet e orës 16:45. Tirana arriti që t’ia dilte me shifrat 3-2, pavarësisht se nuk ishte kaq e mundimshme për të mbërritur te 3 pikët. Taulant Seferi shënoi në të 15, ndërsa Limaj gjeti golin nga distanca në të 42. Me nisjen e pjesës së dytë ishte De Silva që trefishoi shifrat, ndërsa Zguro shënoi golin e parë për Skënderbeun në të 65 dhe Mensah që ngushtoi shifrat vetëm në sekondat e fundit.
Më shumë histori nuk kishte ndeshja tjetër mes Teutës dhe Partizanit. Të kuqtë shënuan pas 120 sekondash me Skukën, që shfrytëzoi pasimin e bukur të Kallakut. Dyfishimi i shifrave erdhi nga Cara dhe Sota në të dytën do të shënonte golin e tretë. Për t’i vendosur kapakun historisë, Junior mbylli ndeshjen në 0-4. Më poshtë ndiqni intervistat e dhëna pas ndeshjes nga trajnerët për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Arapi (Teuta): “Ai gol i pësuar shpejt na dha një goditje dhe erdhi për një gabim të tonin. Duhet të ishim organizuar akoma më tepër. U munduam të rregullonim diçka por nuk ishte e mundur. Ne e kemi diskutuar dhe herë tjetër që ndryshimet e mëdha nuk i bëjnë mirë ekipit, aq më tepër kur del kampion. Por situata erdhi e tillë. Duhet të kishim qenë më të kujdesshëm, por ndoshta akoma jemi brenda atyre objektivave për ta shpëtuar sezonin sepse kemi edhe Kupën dhe do të fokusohemi 100% edhe te Kupa.”.
Mehmeti (Partizani): “Kanë qenë në një ditë të mirë të gjithë sulmuesit. Normalisht do më pëlqente të ishin në ditë të mirë në ditë të ndryshme. Duhet të rritemi gradualisht për të arritur atë çfarë Partizani meriton. Nuk mund të vijë me një ndeshje pika e kthesës te një skuadër kur ka kaluar mjaft tranzicion. Po të shikojmë mënyrën se si i kemi zhvilluar këto ndeshje, duhet të kemi parasysh se kemi krijuar me Kastriotin dhe Dinamon mjaft raste. Por edhe me Laçin. Duhet të arrijmë një fizionomi loje që ta dominojmë kundërshtarin, sespe i kemi të gjitha mundësitë. Por kjo vjen dita-ditës duke qenë në ekuilibër dhe duke i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/