Ndiqeni në lokal dhe jo në stadium! Paradoksi i përgjigjes, i bëhet jehonë ndërkombëtare thirrjes së Rejës

Nga Klaudio Ndreca

Kombëtarja Shqiptare do të kthehet në territorin e saj dhe do të përballet në “Air Albania” kundër Anglisë në 28 mars. Me një kundërshtar të këtij kalibri të lartë kërkohet me patjetër edhe lojtari “i 12”, që ndeshja të bëhet disi “më e barabartë” dhe cilësitë në fushën e lojës të mos anojnë keqazi në peshore.

Për këtë arsye Federata ka dërguar kërkesë te Qeveria që të lejohet në bazë të rregullave një numër i caktuar i tifozëve shqiptarë kundër Anglisë. Pra duke ruajtur tërësisht shëndetin e të pranishmëve, pasi stadiumi i ri i krijon të gjitha mundësitë për të mos rrezikuar asgjë në këtë periudhë të vështirë të COVID.

“Ndeshja me tifozë ka një shije tjetër. Nëse e pranojnë vendet e tjera këtë kërkesë, duhet ta bëjë edhe Shqipëria”, do të shprehej trajneri Reja. Këto fjalë kanë marrë jehonën ndërkombëtare pasi janë shpërndarë nga “WashingtonTime” dhe “Apnews”.

Por fatkeqësisht Ministria e Shëndetësisë do të kthente përgjigje negative për kërkesën e FSHF, duke zyrtarizuar se ndeshja Shqipëri-Angli do të luhet pa tifozë. Paradoksal është fakti se kjo përballje do të luhet në orën 18:00 dhe do të kemi lokalet e stërmbushura atje ku nuk ka asnjë masë që do ta ndjekin këtë sfidë.

E nga ana tjetër nuk lejohet që disa tifozë të pakët në numër ta kenë mundësinë për ta ndjekur nga stadiumi përballjen me Anglinë. Fundja, çfarë fitohet nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë? Asgjë, më tepër risk në lokale nga grumbullimi dhe motivimi shtesë i hequr për Kombëtaren në ndeshjen me Anglinë. Ora policore do të përfundojë në 20:00, atëherë kur ndeshja ka përfunduar dhe të gjithë tifozët do të lënë lokalin për të shkuar në shtëpitë e tyre. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *