Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore me Uellsin më datë 5 qershor 2021. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se të dyja federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje që do të zhvillohet në Uells.
Takimi do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e katërt midis Shqipërisë dhe Uellsit në histori, teksa në të kaluarën janë përballur tre herë me njëra-tjetrën.
Shqipëria ka luajtur dy herë me Uellsin për eliminatoret e Kampionatit Europianit 1996. Ndeshja e parë u luajt në Kardif më 7 shtator 1994 dhe përfundoi me fitoren 2-0 të vendasve. Golat u shënuan nga Chris Coleman (10’) dhe Ryan Giggs (67’).
Në sfidën e dytë mes dy vendeve të luajtur më 15 nëntor 1995 në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës rezultati u fiksua në barazim 1-1. Sokol Kushta kaloi në avantazh kuqezinjtë me një gol të realizuar në minutën e 5-të, ndërsa uellsianët barazuan shifrat në minutën e 43-të me anë të Mark Pembridge.
Ndeshja e tretë mes dy vendeve u luajt më 20 nëntor 2018 në stadiumin “Elbasan Arena”. Sfida, që ishte një miqësore, u mbyll me fitoren 1-0 të Shqipërisë falë golit të Bekim Balajt në minutën e 58-të.