Ndahet nga jeta Perikli Dhales

Ditë zie për futbollin shqiptar, sepse është ndarë nga jeta Perikli Dhales, një personalitet i rëndësishëm i futbollit, ish-futbollist me emër i Tiranës dhe kombëtares shqiptare. Dhales vuante nga një sëmundje e rëndë dhe u shua në moshën 71-vjeçare.

Një mbrojtës shumë i vlerësuar në rininë e tij, Dhales shkëlqeu për dy dekada, duke u bërë edhe pjesë e Shqipërisë, ndërkohë që ishte pjesë e një brezi fenomenal te Tirana, me emra të mëdhenj si Ali Mema e Fatmir Frashëri në fillimet e tij e me Mingën apo Muçën në fundin e karrierës.

Dhales ka qenë edhe drejtor i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” për një periudhë 2-vjeçare, ndërsa ishte aktiv edhe në politikë, duke qenë kryetar i njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka postuar një mesazh ngushëllimi për familjen e Dhalesit, por edhe për gjithë familjen Tirana.

Mësuam me keqardhje lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të Tiranës dhe të Kombëtares së Shqipërisë, Perikli Dhales. Federata Shqiptare e Futbollit dhe vetë Presidenti Duka i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të afërmve, miqve e shokëve të të ndjerit. Në mënyrë të vecantë i drejton ngushëllimet edhe Komunitetit të madh të futbolldashësve të KF Tirana duke ndarë me ta, të njejtin trishtim për këtë ndarje nga jeta të një emri të madh.
Dhales ka qenë një futbollist i rritur me një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. Mori mësimet e para nga emrat e mëdhenj që kanë drejtuar Tiranën dhe po kështu ka luajtur me një brez të shquar futbollistësh të tjerë duke dhënë mjaft për të KF Tirana pas viteve 60? deri në vitin 1977 me kontribute të rëndësishme në evidentimin e cilësive më të mira që ka patur futbolli kryeqytetas asokohe. Ka fituar trofe në Kampionatin Kombëtar  dhe në Kupat e Shqipërisë falë shpirtit kolektiv dhe punës shembullore që ka kryer në skuadër.
Perikli Dhales ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares së Shqipërisë duke treguar mjaft nga vlerat e tij në të gjitha impenjimet ndërkombëtare. Dhales është nderuar me disa cmime të rëndësishme në karrierën e tij.
KF Tirana ka humbur një emër të madh dhe po kështu FSHF një emër të nderuar në panteonin e futbollistëve që kanë dhënë shumëcka në karierën e tyre spikatëse. Lamtumirë Perikli! U prehsh në paqe miku ynë!

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *