Nëse një ndeshje nis në malore dhe pëson gol pas vetëm 3 minutash lojë, atëherë ndoshta mendon se mund të jetë shumë e vështirë që ta përmbysësh, sidomos kur përballë ke një skuadër ndër më të kolauduarat në Itali (Lacio). Por, nëse quhesh Napoli dhe ky mund të jetë sezoni i lavdisë së madhe, atëherë beson në aftësitë e tua.
Ashtu sikurse beson edhe Hysaj, që edhe pse jo në formën më të mirë, pasi me probleme, shtrëngon dhëmbët dhe zbret në “San Paolo”, aty ku një mbrëmje të tmerrshme kalon Thomas Strakosha, i cili shmang edhe disa gola që do ta kthenin në një goleadë cirku ndeshjen e sotme. Sepse, nëse nuk do të ishte gardiani shqiptar, Napoli do të fitonte 5 apo 6 me zero, në një sfidë ku pati vetëm një protagonist: ekipi i Sarrit.
Dhe, nëse duhej një përgjigje për Juventusin që kishte rimarrë përkohësisht kreun me fitoren në Firence, ajo ka ardhur, me lojë të bukur, gola shumë dhe një publik që tani ëndërron. Pas një sërë tentativash në pjesën e parë pas golit të miqve, Kajehon gjen ekuilibrin përpara pushimit, ndërsa pjesa e dytë kthehet në tabelë qitje për miqtë, ku autogoli i Uallas i jep avantazhin axurrëve, që shënojnë të tretin me Mario Ruin, në vend të Gulamit, sërish i operuar, ndërsa Mertens, në dyshim për të luajtur, mbyll gjithçka, me një aksion model.
Insinje ka shansin për golin e pestë, por Strakosha i thotë “jo”. Në fund, feston skuadra vendëse, që rimerr kreun dhe tregon forcën. Në një natë ku Strakosha “qan” dhe Hysaj “qesh”, po kur edhe rezervat bëjnë diferencën te Napoli.