Nako bën sulmuesin te Egnatia: Tani jemi për Superiore

Qendërmbrojtësi me shumë përvojë i skuadrës rrogozhinase ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e fituara në transfertat me Burrelin e Korabin

Fatmir Efica

“Fiton skuadra dhe kemi marrë pikët aq të rëndësishme. Pak rëndësi kanë golat e mi. Me këtë përgjigje shumë modeste, qendërmbrojtësi fierak me shumë përvojë i Egnatias, Rudin Nako ka thënë dje se ndjehet i lumtur dhe i gëzuar me këtë ecuri shumë pozitive të ekipit rrogozhinas. “Në javët e para, dikush edhe mund të mos na ketë “llogaritur” në grupin e ekipeve pretendente, – thekson Nako.

GOLAT – “Të dy golat e mi për Egnatian gjatë këtyre 12 javëve kanë ardhur nga realizimi me sukses i dy penalltive. Detyra ime specifike është pikërisht kjo. Dhe më vjen mirë që Egnatia pas Kastriotit është skuadra e dytë në grupin A që ka pësuar më pak gola (vetëm 5 të tillë). Në lidhje me golat që kam shënuar edhe në Burrel, ku fituam 1-0 edhe në Peshkopi në takimin e fundit të këtij viti ku kam shënuar golin që “vulosi” fitoren e pastër 2-0 ndaj Korabit, trajneri Gjonaj mi ka besuar mua 11-metërshat për arsyen e thjeshtë se një mbrojtës është më i qetë dhe luan më më pak presion se sa një sulmues në lidhje me finalizimet nga pika e bardhë. Më vjen mirë që nuk kam gabuar e kam justifikuar besimin e shokëve dhe të drejtuesve të ekipit”.

PRETENDIMET – Bashkë me pozicionimin në vendin e dytë në mbyllje të 12 javëve të luajtura për këtë vit, Egnatia tani e radhit veten në grupin e pretendentëve kryesorë që synojnë vendin e parë në grupin A. “Jemi në formën e duhur. Madje, pas fitores me Kastriotin në Rrogozhinë të gjithë e kuptojnë tashmë se Egnatia ka ardhur deri këtu me meritën e saj. Por, Rudin Nako e “kopjon” bukur shprehjen “nuk keni parë gjë akoma” kur thekson se pretendimet e Egnatias për ngjitjen e rikthimin e saj në Superiore në sezonin e ardhshëm janë tani maksimale. “Skuadrës në të gjithë komponentët nuk i mungon asgjë. Pretendimet bëhen edhe më të plota e të sigurta duke llogaritur tërë investimet e tjera të mëdha që po kryhen te skuadra rrogozhinase e këtij sezoni. Ky vit i ka përmbushur më së miri synimet. Por, në vitin 2018 që po “troket”, Egnatia do të jetë edhe më e fortë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *