Kina mund të presë: Interi është e ardhmja e Radja Naingolanit. Do të jetë “Ninja” dhurata që Suning do t’i bëjë trajnerit Luçiano Spaleti që rikthehu zikaltrit në Champions League pas shumë vitesh. Të shtunën, në Rexho Emilia ka pasur një tjetër takim, këtë herë, shumë i rëndësishëm, mes drejtorit sportiv Piero Auzilio dhe Alesandro Beltramit, agjentit të belgut: nuk ishte rasti për të arritur akord, por që gjuha e përbashkët është gjetur.
Vullneti i Interit, në fakt, është që të zyrtarizojë gjithçka në ditët e para të korrikut, për t’i dhënë një tronditje edhe fushatës së marketingut dhe abonimeve, por edhe pasi të kalojë 30 qershori, që është data kur Interi ka nevojë të shesë dhe të hyjë në limitet e fairplay financiar. Në fakt, duhet të krijojë një plusvlerë nga shitjet e disa futbollistëve, mes tyre edhe Manaj. Në fakt, plani i Interit është i qartë: “Ninja” duhet të jetë simboli zikaltër edhe jashtë Italisë, sidomos në Indonezi, aty ku tifozët zikaltër janë me “lopatë”.
Dhe, rrënjët indoneziane të Naingolanit (i ati është indonezian) bëjnë që gjithçka të jetë edhe më e lehtë. Mesfushori i Romës ka qenë një objektiv edhe më parë, nga Erik Tohir, por tashmë pritet që të arrihet marrëveshja. Sakaq, sa i përket Rafinjës, ende asnjë lëvizje, në pritje të asaj që do të vendosë Barcelona, e cila e di mjaft mirë se paratë janë shumë të pakta te Interi. Edhe Totenhami është futur në garë për brazilianin dhe katalanasit duan të paktën 38-40 mln euro. Interi ka zgjedhur të presë, të durojë, për të vendosur më pas. Ndërkojë, duke iu kthyer Naingolanit, Roma bën një mur dhe vendos shifrën: duhen 40 mln euro për belgun.
Megjithatë Interi e ka ulur mjaft këtë shifër, duke përfshirë në fakt një operacion të tillë: 29 mln euro kesh dhe kartonin e të riut Zaniolo, që vlerësohet 6 mln euro.
Në fakt, pikërisht Zaniolo është i përzgjedhuri i Monçit mes xhevahireve të ekipit Primavera, që fitoi titullin pak ditë më parë.