Trajneri i Shqipërisë U-17, Xhemal Mustedanagiç, ka ardhur në Shqipëri për të kryer një grumbullim masiv, me rreth 50 futbollistë 15-vjeçarë, për të vazhduar më pas me 16-vjeçarët që pretendojnë të jenë pjesë e kombëtares shqiptare. Pesëditëshi i parë do të jetë grumbullimi me 15-vjeçarët, ku nga 24 lojtarë, 15 luajnë jashtë vendit, ndërsa në datën 24 do të nisë grumbullimi i 16-vjeçarëve, me të cilët do të kemi dy miqësore me një rival mjaft të fortë si Bosnje Hercegovina, në datat 27 dhe 29 qershor.
“Do të zhvillojmë një grumbullim për dhjetë ditë brezat e ditëlindjes 2003 dhe 2002. Jemi në fazë seleksionimesh dhe në datën 24 qershor do të afrohen edhe 24 lojtarë të tjerë që janë pjesë e kampionatit shqiptar, për të zhvilluar ndeshje ndërmjet njëri-tjetrit. Do të vëzhgojmë mbi 40 lojtarë dhe pesë portierë, është një seleksionim nga themelet, për të mënjanuar gabimet dhe që në kombëtare të jenë më të mirët. Në këtë periudhë kohe do të analizojmë edhe kundërshtarin e parë të kualifikueseve, Norvegjinë përballë të cilëve do të luajmë në tetor”.
Trajneri Mustedanagiç nuk e fsheh keqardhjen për faktin se dy lojtarë të Panathinaikosit kanë refuzuar për momentin Shqipërinë.
“Më vjen keq. Çavo ka vendosur të luajë për Greqinë, vend ku edhe ka lindur, ndërsa Muka është ende i pavendosur. Federata ka punuar shumë që këta lojtarë t’i bashkohen Shqipërisë, kemi kontaktuar thuajse përditë me djemtë dhe prindërit e tyre, por vetë Çavo së bashku me familjen ka zgjedhur të përfaqësojë Greqinë. Sa i takon Mukës, po vazhdojmë punën dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ai t’i bashkohet Kombëtares. E rëndësishme është që të vijë në grumbullimin e parë, aty do të shohë si punojmë ne, si jemi të organizuar dhe do të bindet nga profesionalizmi ynë”.