Mungesa e vazhdimësisë së lojtarëve shqiptarë në Europë ishte një nga temat e diskutimit në studion e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania”. Ilirjan Alliu ka treguar diferencat mes lojtarëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova. Ish-lojtari i Kombëtares është shprehur se lojtarët e ardhur nga Kosova i kanë ngjitur shkallët gradualisht, ndërsa lojtarët e Shqipërisë kanë synuar ekipet e mëdha që në moshë të hershme.
“Shumë gradualisht rriten këta shqiptarët e Kosovës. Vijnë luajnë një herë te Partizani, pastaj shkojnë me ndonjë ekip në Poloni, pastaj kur i sheh te Fenerbahçja. Kur i sheh, bëjnë 55% të golave te Majorka. Rasti i Muriqit. Po të shkonte te Interi, Muriqi nuk do të luante asnjë ditë të jetës së vetë. Ka ecur gradualisht. U rrit gradualisht. Tani është legjendë e ekipit ku është dhe është shumë produktiv në ekipin kombëtar të vetë.
Asllan e ka emrin njëri, Asllan e ka emrin tjetër. Por ai Asllani i Kosovës merr metra për të shkuar te porta e kundërshtarit, ndërsa ky joni shkon me vrap te qendërmbrojtësat të marri topin në zonën e tij. E shikon sa ndryshon kur ty të rreh mendja të shkosh te Interi që 18 vjeç. Rritu gradualisht, e kërkojnë të gjithë Asllanin e Kosovës tani”, ka thënë Ilirjan Alliu./Sport Ekspres/