Në emisionin “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News” është folur edhe sa i përket pjesës së sulmuesëve. Kështu, në 12 sulmuesit me më shumë gola të Superiores deri tani, është vetëm Tedi Cara që mban lart flamurin. 8 futbollistë të tjerë vijnë nga jashtë Shqipërisë, ndërsa 2 prej tyre janë Taulant Seferi dhe Agim Ibrahimi.
Sigurisht që këta dy të fundit janë shqiptarë dhe tema e diskutimit nuk është ndasia e këtij lloji, por për të kuptuar sesa sulmues të lindur dhe rritur në Shqipëri arrijnë që të bëhen protagonist në elitën e futbollit tonë. Julian Ahmataj e ka komentuar në këtë mënyrë çështjen:
“Me ndryshimin që po i vjen Superiores, nga katër lojtarë të huaj janë shtuar dhe janë bërë pesë që lejohen, por edhe për shkakun se lojtarë si Muçi e të tjerë ne nuk kemi shans që t’i mbajmë dhe mos t’i lëmë në Europë, edhe për shkakun e shifrave që vijnë. Në momentin që shpërthejnë janë direkt të transferuar jashtë”, tha Ahmataj.
Ndërkohë në mënyrë tjetër e ka parë situatën Zhupa: “Nuk ka prodhim vendas. Sepse këtu luhet filozofi tjetër. Të gjithë menaxherët punojnë që të sjellë lojtarë në rolin e sulmuesëve dhe kjo zbeh talentet shqiptarë gjatë moshës 17, 18 vjeç që mund të merrni impulset për të qenë sulmues kryesor. Flisni në bazë të tabelës, shihni, vetëm Tedi Cara dhe raporti 90 me 10 për të huajt”.
Për të vazhduar debatin, Ahmataj nuk e pranuar idenë e Zhupës: “5 lojtarë të Kategorisë së Superiores, 4 të Partizanit dhe 1 i Tiranës janë larguar vetëm në qershor nga Superiorja dhe të gjithë kanë qenë sulmues. Llogarisni sa lojtarë kemi nxjerrë ne në këto 5 vite të fundit. Mund të jemi kampionati që kemi nxjerrë më shumë sulmues në këto 5 vitet e fundit jashtë duke filluar nga Guri, Cikalleshi e të gjithë me radhë. Bregun e donin të gjithë ekipet e Superiores, Cinarin, Bardhin, Asanin, i donin të gjithë, por nuk i mban dot”, tha Ahmataj. Në këtë linjë mendimi ishte edhe Edmond Rruco: “Transferimet jashtë tregojnë supermadhësinë dhe lartësinë e këtij kampionati”. /Sport Ekspres/