Shqipëria e mbylli në barazim ndeshjen ndaj Islandës. Kuqezinjtë morën një pikë që i shërben për grupin dhe vazhdimësinë, por duke parë kundërshtarin dhe nivelin e treguar në fushë, shija e lënë nuk ishte e mirë. I këtij mendimi ishte edhe Altin Rraklli, ish-lojtari i Kombëtares që në një intervistë për “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës”, shprehet se edhe Ivan Balliu që u paraqit positivisht duhet të ngrihet në nivelin e La Liga-s te Shqipëria.
“Islanda nuk ishte ai kundërshtari që ne e kemi parë në Europian, ishte shumë modeste. Shqipëria nuk është se bëri ndonjë gabim të madh tjetër përveç golit të pësuar, mund edhe ta kishim fituar ndeshjen. Por mënyra sesi u luajt në fazën sulmuese, la shumë për të dëshiruar.
Mendoj se ndikuan shumë edhe mungesat. Ne këta jemi, nëse na mungon Bare, Broja, Uzuni, ndihen shumë te Shqipëria. Pikësëpari mungoi një mesfushor që jepte vertikalizime dhe topa në thellësi, një Ervin Skela le të themi.
Nuk ishte Keidi Bare. Amir Abrashi është lloj tjetër lojtari, pavarësisht se bëri mirë, ishte luftarak, por nuk jep dot këto pasime. Na mungoi Bare me stilin e tij të lojës. Gjithashtu edhe Broja me Uzunin që i presin këto vertikalizime.
Seferi me Cikalleshin nuk shkuan mirë së bashku pasi janë të dy lojtarë të një tipi loje dhe për këtë arsye u vërejt. Seferi bëri mirë, u mundua, Ivan Balliu bëri gjithashtu mirë. Por nga Ivan Balliu ne presim më shumë te Kombëtarja. E kemi parë në La Liga që të japi ato asistet perfekte, madje edhe të shënojë gol.
Në këto momente duhet të ngrihet në të njëjtin shkëlqim te Shqipëria për ta marrë me vete. Unë shoh përparime në përgjithësi, Reja ka bërë punë të mirë dhe lojtarët e rinj duhen futur dalëngadalë në Kombëtare, e shoh të gabuar që të futen direkt 14 lojtarë të rinj. Dukshëm kemi një ekip që nuk duhet ta diskutoj fare vendin e parë në këtë lloj grupi”, tha Rraklli. /Sport Ekspres/