Vedat Muriqi është sulmuar së tepërmi nga ana e mediave sportive në Itali dhe tifozët pas performancës së fundit ndaj Milanit. Tërësisht zhgënjyes niveli i treguar nga ana e sulmuesit shqiptar që nuk arriti në asnjë moment për të vendosur në vështirësi portën e Milanit.
Së fundmi është trajneri Inzagi që i del në mbrojtje Muriqit. Duke pranuar faktin se sulmuesit mund të bënte më mirë ndaj Milanit, trajneri i Lacios ka treguar edhe rastet e tjera te kryeqytetasit me afrimet që kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur.
“Muriqi? Unë jam duke menduar tani për vitin e parë të Luis Albertos, Milinkovic Savic, Caicedos. Janë futbollistë që vijnë jashtë Italisë, klubi duhet të jetë i durueshëm pasi do të na ndihmojnë në planin afatgjatë. Duhet të ndiejë besimin e klubit dhe trajnerit. Pres më shumë nga Muriqi, duhej të jepte më shumë ndaj Milanit, por jam i bindur se do të përmbushi pritshmëritë. Caicedo dhe Muriqi janë zëvendësues të denjë të Imobiles”, ka thënë Inzagi. /Sport Ekspres/