Blerja më e bujshme e vlonjatëve në merkaton e dimrit pritet të luajë në Korçë të premten: Skuadra dhe Vlora janë super, llogaritë i bëjmë në fund
Elton Nika
Flamurtari luan ditën e premte në transfertë dhe jo në një transfertë ta zakonshme, por atë të Korçës me Skënderbeun kryesues. Një ndeshje shumë e vështirë. Ndeshjet mes korçarëve dhe vlonjatëve kanë pasur shumë interes vitet e fundit, ndërsa këtë sezon duket se rikthehet rivaliteti i sezonit 2010-2011. Për Flamurtarin mungon Sidibe, por pritet të debutojë me fanellën kuqezi afrimi më i bujshëm i merkatos së dimrit, Muarem Muarem. Mesfushori maqedonas, pas përvojave me Karabagun në Azerbajxhan dhe Aktoben në Kazakistan, ka vendosur të bashkohet me Flamurtarin dhe shpreson shumë të ndikojë në objektivin t ij. Në Vlorë janë duke e pritur me mjaft interes aktivizimin e këtij lojtari, i cili flet për
– Muarem, duke se ka ardhur momenti debutimit tuaj në ndeshjen e radhës në Skënderbeut…
– Mund të them se jam gati, por gjithmonë aktivizimin e vendos trajneri. Është vetëm ai që përcakton se kush duhet të luajë dhe kush jo. Ne duhet të respektojmë vendimet e trajnerit. Unë e kam rinisur stërvitjen së bashku me grupin, pas një kohe që jam stërvitur në mënyrë individuale.
– Dëmtimi ju ka mohuar tri ndeshjet e para. Ju vjen keq?
– Gjithçka shkoi mjaft mirë gjatë fazës përgatitore, por në ndeshjen e fundit në Antalia u dëmtova. Ky dëmtim më pengoi të luaj në 3 ndeshjet e para të këtij viti. Kjo gjendje është mjaft e vështirë për një lojtar, më besoni për këtë fakt. Fatmirësisht, tashmë jam gati.
– Pse vendosët të bashkoheni me Flamurtarin?
– Mendoj se është një zgjedhje mjaft e mirë. Trajneri Duro dhe zv.trajneri Beqiri më folën shumë për skuadrën dhe tashmë jam këtu. Kam gjetur një ambient mjaft të mirë dhe një grup lojtarësh mjaft cilësorë në të gjitha aspektet. Më kanë pritur mjaft mirë. Ndihem shkëlqyer prej ditës së parë që jam pjesë e Flamurtarit. Jam mjaft i kënaqur për këtë zgjedhje dhe dëshiroj që gjithçka ta tregoj në fushë.
– Si ju është dukur Flamurtarin në këto tri ndeshjet që e keni para nga tribuna?
– Kam luajtur në ndeshjet miqësore në Antalia dhe e di fort mirë cilësinë e grupit. Kemi zhvilluar tri ndeshje shumë të mira dhe kemi marrë dy fitore dhe një barazim, por meritonim më shumë në Kukës. Mbi të gjitha, ka rëndësi rezultati.
– Të premten luhet ndeshje me Skënderbeun rival. Si e prisni?
– Me Skënderbeun, ose më saktë kundër tij, kam luajtur gjatë periudhës që aktivizohesha te Karabagu, në fazën përgatitore në Austri. Të them të drejtën, janë një ekip i organizuar mjaft mirë dhe kanë një grup cilësor. Prej atëherë kanë pësuar ndryshime, por mendoj se janë një skuadër mjaft e mirë në kampionatin shqiptar.
– Nga ajo çfarë keni parë, si mendoni, deri ku mund të shkojë ky Flamurtar?
– Them t’i marrim ndeshjet me radhë, pastaj të shohim renditjen. Ne sot jemi në vend të dytë dhe nëse vijojmë në këtë rrugë, pse të mos jemi në vend të parë? Megjithatë, ndeshja e radhës është ajo që ka rëndësi. Duhet të luajmë për fanellën në fushë. Kupat e Europës janë padyshim mjaft të rëndësishme, por llogaritë i bëjmë në fund.
– Barazim në Kukës, po në Korçë, ku kënaq një pikë?
– Dua të them se ky Flamurtar është shumë i vështirë për t’u mundur. Trajneri Duro di mjaft mirë ta vendosë skuadrën dhe të marrë maksimumin. Në Korçë do të tentojmë fitoren, pse jo, por gjithçka e vendos fusha.
– Po e prisni me emocion debutimin tuaj?
– Në fakt, nuk jam shumë emocional në lojë. Patjetër që ndeshja e parë me Flamurtarin është diçka e rëndësishme, por fakti që jam aktivizuar edhe në Kupat e Europës, më ka bërë t’i përmbaj emocionet dhe të mendoj më shumë për të luajtur. Nuk më pëlqen shumë të jap deklarata. Më mirë të flasim në fushë. Shpresojmë shumë te ndeshja e Korçës.
– Së fundi, si ju duket qytetit i Vlorës?
– Kam luajtur dhe kam jetuar në qytet me det, por Vlora është super, nuk ka të krahasuar. Shpresoj që veç faktit që qyteti është i bukur dhe skuadra mjaft e mirë, të vazhdoj sa më gjatë këtu.