Pavarësisht rezultatit të parë zhgënjyes ndaj Laçit, Partizani po krijon një klub profesionist. E kjo edhe nga afrimet e fundit me klubin e kuq. Stafi italian dhe ardhja në krye të klubit e drejtorit Luçiano Moxhi ka futur klubin e kuq në “shina” duke vendosur rregulla të forta për të gjithë futbollistët. “Çdo klub ka rregulla që duhen respektuar nga të gjithë. Për mua, është më e rëndësishme të zbatohen rregullat dhe të humbet një ndeshje”, – shprehej Moxhi pas humbjes me Laçin.
Lëvizja e fundit e drejtorit të Përgjithshëm është edhe me jetike për futbollistët. Moxhi ka ndërhyrë te pagat, jo në bordero duke ulur apo shtuar të ardhurat e futbollistëve, por për të vendosur në ditën që do të mund të merren pagat.
PAGAT – Partizani nuk ka pasur ndonjëherë probleme me pagesat, pasi asnjë nga futbollistët e kuq vitet e fundit nuk ka bërë ankesë për mosmarrjen e parave, ose rastet mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, kujtoj mesfushorin nga Brazili Filipe Gomesh. Ai u shlye, pa shkuar çështja në FIFA.
Megjithatë, të kuqtë nuk kanë pasur një datë fikse të marrjes së rrogave, prandaj edhe për këtë ka ndërhyrë drejtori Moxhi. Ai ka vendosur që rrogat do të merren çdo datë 15 të muajit. Kjo ndikon për mirë edhe në përformancën e futbollistëve, pasi janë më të qetë në aspektin psikologjik dhe mund të japin më shumë në fushën e lojës.
Një lajm i tillë ka gëzuar jo pak futbollistët e Partizanit, por edhe stafin teknik. Lajmi është konfirmuar për “Sport Ekspres” nga burime brenda klubit të kuq.
VENDIMI – Një masë e tillë nga Moxhi vjen pas disa rregullave të tjera që ai ka vendosur. Italiani ka ardhur me “dorë të hekurt” që do të ndikojë pozitivisht edhe për pjesën tjetër të skuadrës. Tashmë të kuqtë, pavarësisht rezultateve që mund të kenë kanë nisur rrugëtimin drejt synimit kryesor, krijimit të një klubi europian.