Shqipëria ka mposhtur Bjellorusinë me shifrat 2-0. Asllani nga pika e bardhë e penalltisë dhe Muçi ishin autorët e golave të shënuar në “Air Albania”. Pas përfundimit të takimit, trajneri dhe lojtarët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”.
Muçi: “A e kam fituar vendin në Kombëtare? Nuk e di. Kombëtarja ka shumë konkurrencë. Janë më të mirët që vijnë këtu. Jam shumë i lumtur për fitoren. Ndjesi që kisha kohë që nuk e kisha provuar. Me Kombëtaren nuk kam luajtur shumë. Ishte ndesha e 4-t si titullar, kur kam 5 vite që e kam bërë debutimin. Kur nuk luan shumë është emocioni, pritshmëria nga tifoët dhe ata që të shikojnë. Do t’i bësh krenar. Kështu që normale që goli të çliron. Moshatarët e mi në Kombëtare kanë nga 30-40 ndeshje. Nëse luaj më shumë, do të bëj më mirë. Salah? Është shumë me këmbë në tokë. Nuk është aspak mendjemadh. Kam mësuar shumë këto dy muaj nga ai”.
Hysaj: “Ia thashë edhe presidentit: ‘Ma bëj një kontratë këtu të paktën’. Çfarë t’ju them për të ardhmen? Ende nuk e di as vetë. Por jam i gatshëm për Komëtaren. Ta mendoj ku e kam filluar dhe ku kam arritur… Thjesht të jem krenar për veten. Në futboll duket gjithmonë sikur po vjen fundi, ka të tjetër që duan të të vijë fundi. Por duhet të vazhdosh të ruash formën. Stërvitjen e kam bërë çdo ditë”.
Asllani: “Manaj ma kishte thënë që përpara ndeshjes. Po të kishte penallti do të shkonte ai te topi, por më pas do të vija ta gjuaja unë. Ishte e vështirë për mua të kapja topin e dytë. Por pas 2-0 kemi pasur shumë raste. E kemi vendosur ne ndeshjen. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Al Xhazira? Kam refuzuar disa oferta. Pashë merkaton si shkoi. Pastaj erdhi Al Xhazira dhe e pranova. Duhen këto eksperienca, pasi tani jam vetëm 24 vjeç”
Maran: “Jam shumë i lumtur për mënyrën se si performuan lojtarët. E doja një paraqitje kështu. Lojtarët kanë realizuar me përpikmëri atë që kemi punuar në stërvitje. Nuk u befasuam nga Bjellorusia. E dinim që ishte e vështirë. Por sipas statistikave, kemi pasur 20 gjuajtje, që është një statistikë shumë e vështirë. Bjellorusia është shumë e vështirë, pasi rri shumë poshtë, por arritëm të gjenim hapësirat. Sot pata shumë përgjigje pozitive. Duhet të vlerësohet shpirti i skuadrës dhe shpirti i sakrificës për njëri-tjetrin.
Muçi është një lojtar me një cilësi të madhe. Ne nuk mund ta përqendrojmë lojën në një lojtar të vetë. Ai është lojtar i rëndësishëm dhe sot e ka treguar. Nuk duhet të kemi vetëm një lojtar që të jetë si një pikë reference, duhet të jetë e gjithë skuadra. Por ka cilësi të mira. Për Muçin ishte shumë e rëndësishme të shënonte gol në ndeshjen e parë me Komëbtaren nën drejtimin e tim. Dua t’i bëj komplimenta skuadrës, mund të kishte përfunduar me më shumë gola”.
Gjimshiti: “Doja të godisja portën me kokë, pastaj pashë këmbën lart. Me preku, jo dhe aq shumë, por arbitri e dha penallti për ne. Më mirë ashtu. E rëndësishme është të fitosh. Ndoshta 15 minutat e para ishim në vështirësi, pasi ata fituan shumë topa të dytë dhe duele. Me Etritin kemi histori bashkë, shumë vite. Është bukur ta shohës prapë Etritin”./Sport Ekspres/