“Mos ta bëjmë si me Armando Brojën”! Vasil Ruci: Nuk i kuptoj shijet e Silvinjos, të mos gabojmë me Ernest Muçin dhe Anis Mehmetin

Shqipëria do të luajë kundër Polonisë në gjysmëfinalen e vlefshme për ëndrrën e Botërorit. I ftuar në emisionin Mega Sport që transmetohet në A2 CNN, ishte legjenda Vasil Ruci. Ai këmbënguli te pjesa e grumbullimit të Anis Mehmetit dhe Ernest Muçit te Kombëtarja për ndeshjen ndaj Polonisë, duke kërkuar minuta për ta.

“Ernest Muci dhe Anis Mehmeti duhen me patjetër në Kombëtare. Unë nuk e di se çfarë shije ka ky trajneri ynë. Ata janë lulja më e mirë që kemi për momentin, duhet t’i shfrytëzojmë. Muci është aseti i Shqipërisë, Brojës nuk dimë që t’ia merrnim më të mirën, nuk duhet të ndodhi edhe me Muçin.
Duhet të kuptojmë një gjë, është kaq e rëndësishme që Muci dhe Mehmeti që të jenë aty ndaj Polonisë, pasi edhe nëse ndodh që mos të fitojmë kundër Polonisë, atëherë është e sigurt se do të jenë vendimtar dhe pjesë e grupit për ndeshjet e ardhshme”, tha Ruci. /Sport Ekspres/