“Mos e lodh veten me trajner italian“, Dosti zhgënjehet nga derbi dhe i sugjeron Demit trajnerin e ri: Merre sa nuk është vonë

Partizani humbi mbrëmjen e djeshme derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon. Tirana e mposhti me rezultatin 0-2, pavarësisht faktit se luajti për më shumë se një pjesë loje me 10 lojtarë. Një humbje në derbi dhemb shumë dhe patjetër që nuk mund të mungojë edhe zëri kritik i ikonave të klubit. Edmond Dosti ka reaguar me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ku kërkon të ndalet afrimi i trajnerëve italian në krye të pankinës së Partizanit. Në fund jep edhe këshillën e tij për presidentin Demi, të cilit i sugjeron emrin e Shpëtim Duros për të marrë drejtimin e skuadrës.

“Zhgënjim total nga ekipi i zemrës. Një skuadër që duhet të gjejë vetveten, duke filluar që nga trajneri që duhet të lërë pas fodullëkun nëpër deklarata përpara ndeshjes dhe ekipit që luajti pa ide dhe i çorientuar. Prandaj president Demi mos e lodh veten me trajner italian se rezultatet flasin vetë. Po të jap një sugjerim si mik dhe dashamirës i Partizanit: merr profesor Shpëtim Duron sa nuk eshte vonë që të kthehet ai Partizan që duam të gjithë”, ka shkruar Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *