Shqipëria ka ende lojtarë që e ndiejnë shumë peshën e fanellës. Një prej tyre është edhe Qazim Laçi, që u vu re që në momentin kur po këndonte himnin para takimit me San Marinon. Me sytë mbyllur dhe me fjalët që i dilnin nga shpirti, kjo ishte nxehmja më e mirë përpara 90 minutëshit.
Mesfushori ka shkëlqyer ashtu si edhe në përballjen e fundit ndaj Hungarisë, kur sërish u vlerësua për përformancën e treguar dhe grintën e madhe për të dalë te goli. Menjëherë pas takimit ndaj San Marinos ku realizoi edhe një gol, zemra i buçiste në deklaratën e dhënë për “Supersport” dhe ndiheshin emocionet e forta të tij.
E njëjta sjellje edhe në deklaratën e dhënë për kanalin zyrtar të FSHF. Për një moment Qazim Laçi duket si një fëmijë i sinqertë dhe jashtëzakonisht i lumtur për faktin se ka shënuar gol me Shqipërinë përpara tifozëve tanë kuqezi. Pra adrenalinë në dozat më të mëdha dhe padyshim që lojtarë të tillë janë me kokrra, nëse kërkojmë për të njëjtin përjetim. /Sport Ekspres/