Erzeni po vazhdon me paraqitje mbreslënëse në Superiore, duke kapur vendin e dytë. Këtë herë kanë arritur të mposhtin Partizanin me shifrat 0-1. Erzeni nuk ka pësuar ende asnjë gol në katër javët e para të Superiores. Ka mjaftuar vetëm një goditje në portë që kjo skuadër të marrë tre pikët. Me jo pak fat, teksa Nonato realizoi me shpinë nga porta dhe në pozicion të pamundur që në minutën e 14.
Partizani e shtoi ritmin ndjeshëm, veçanërisht në pjesën e dytë. Da Silva ka shpërdoruar dy mundësi të arta për të barazuar rezultatin, teksa gjendej thuajse me portën e boshatisur. Kështu Erzeni rezulton i dëmshëm për të kuqtë duke i dhuruar goditjen e parë në këtë sezon pas tre fitoreve radhazi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Kapllani (Erzeni): “Në intervistën e parë që kam dhënë në televizionet shqiptare kam deklaruar që ekipi i Erzenit nuk do të jetë kalimtar në kampionatin shqiptar dhe çdo ekip me Erzenin do ketë vështirësitë e veta. Sekreti është grupi, kolektivi, harmonizimi i djemve. Është krijuar një ambient i mrekullueshëm. Kemi filluar të guxojmë, që do të thojmë hyjmë në fushë për të marrë tre pikët. Por qendrojmë edhe me këmbë në tokë, sepse dihen objektivat e Erzenit. Skuadra është munduar të mbrojë në grup, duke filluar që nga sulmi e për të vazhduar te i fundit, që është Dashamir Xhika. Është fitorja e parë, historike, kundër Partizanit. Ne do vazhdojmë punën tonë. E kam thënë në fillim, çdo ndeshje për ne do të jetë finale”.
Kolela (Partizani): “Është shumë e vështirë të luash ndaj një ekipi që mbyllet mbrapa. Por sot kemi luajtur më mirë se ndaj Bylisit që fituam. Sot kemi bërë vetëm një gabim që na kushtoi shumë. Topin e kishim ne në kontroll, nuk i them dot asgjë skuadrës. Ishte një ndeshje e vështirë, por ka ditë që topi nuk shkon në portë. Erzeni e meritoi fitoren, pasi ka shënuar gol, nuk mund të merremi me diskutime kot. Nuk ka ndeshje të lehta në asnjë kampionat të botës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/