Ndaj Austrisë, trajneri i kuqezinjve pranon modulin e ri: “Kundërshtari nuk duhet të nënvlerësohet. Si milanist, kam kujtime të bukura në atë stadium
Imobile dhe Luis Alberto janë larg 650 kilometra larg dhe ky është lajmi i parë pozitiv për Vinçenco Montelën. Ndërsa lajmi i dytë është që “Ernst Happel Stadion” ka gjithmonë “sharmin” e tij, thuajse si në vitet 1990 kur Rajkard vendosi finalen e Kupës së Kampionëve kundër Benfikës. Sot, për ndeshjen Austria e Vjenës – Milan do të jenë të pranishëm 35 mijë vetë, sepse qyteti pret një Milan të ri me shumë ankth. Montela, më shumë akoma. “Shoh një skuadër që ka dëshirë të luajë menjëherë, pres një sjellje të ndryshme në krahasim me Lacio – Milan. Ka qenë një humbje e shëmtuar, duhet arkivuar. Duke lënë mënjanë cilësinë e lojës apo fitoren, unë pres një reagim temperamenti. Nuk jemi ata të së dielës”.
MBROJTJA ME TRE — Tema e ditës është kalimi me skemën 3-5-2, i lajmëruar dhe që pritet të ndodhë sot, në orën 19:00. “Kjo skuadër mund të luajë në shumë mënyra, përfshirë edhe atë 3-5-2 dhe 3-4-2-1. Mund të luajë edhe me 4-3-3, në fund të fundit e kemi bërë shpesh edhe në mbrojtjen me tre me Rodrigezin. Suso është një lojtar vendimtar dhe ata si ai janë të pakët. Në modulin 3-5-2 mund të luajë i brendshëm apo me dy përpara”. Megjithatë, sot, përpara do të jenë me shumë mundësi Andre Silva dhe Kaliniç, në ndeshjen e parë si titullarë me Milanin. “Nikola po rritet shumë, është altruist, mund të luajë përpara me dy sulmues, mund të sulmojë në thellësi”. Nuk është një konfirmim, por thuajse. i vetmi dyshim është në mesfushë atje ku Kesie dhe Bonaventura janë favoritët së bashku me Bilian. “Bonaventura është bujar, i aftë në një për një, po rritet. Kesie nuk ka bërë si të tjerët, por është një problem skuadre dhe jo i tij personal. Por kemi bërë gjashtë fitore në 7 ndeshje, është një mesatare e mirë”.
KUJTIMET E VJENËS – Montela, tifoz milanist, ka rrëfyer se çfarë kanë përfaqësuar për të Vjena dhe finalja e 1990-s dhe ajo e 1995-s. “Në 1990 isha në Empoli, në restorant, me tutën e bardhë të Milanit. E kujtoj sërish. Ndërsa 1995-n, jo, sinqerisht e kam hequr nga kujtesa”. Tani është një trajner, duhet të mendojë për ambiciet dhe kritikat. “Objektivi i parë është të kalojmë turin, me shumë mundësi si të parët në klasifikim, më pas të mendojmë për pjesën e mbetur. Austria e Vjenës është e nënvlerësuar dhe kjo s’është diçka e mirë. Është e vështirë të luash në mbrojtje ndaj tyre. Kritikat? Është gjithçka normale, ishin të ekzagjeruar komplimentet dhe ndoshta edhe kritikat, por nuk jam shqetësuar aspak”.