Në rubrikën “Legjendat flasin”, ish-mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha rikthen kujtimet dhe rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi, një histori e ndërtuar mbi pritje, sakrificë dhe përkushtim absolut.
Nga pritja e gjatë për të veshur fanellën kuqezi, te netët historike që çuan Kombëtaren drejt kualifikimit të parë në një Europian, Migjeni ndalet tek emocionet, sfidat dhe krenaria për të qenë pjesë e një brezi që shkroi faqe të arta në historinë e futbollit shqiptar.
Një rrëfim që lidh të shkuarën me të tashmen dhe përcjell vlerat që fanella kuqezi duhet të mbajë gjithmonë: sakrificën, disiplinën dhe besimin.
Migjen Basha i Shqipërisë
– E kujton momentin kur more ftesën nga Shqipëria për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi? Si ishte, mund të na e rrëfesh?
– Më kujtohet shumë mirë momenti, sepse për ata që duhet të ishin pjesë e kombëtares, kanë pasur probleme me pasaportat shqiptare. Në atë kohë kisha pasaportën e Zvicrës. Aty procedura ime ishte shumë e gjatë dhe humba tre vite larg Kombëtares.
E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biasi u afrua te Torino. U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt. Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013.
E gjithë ajo kohë ka qenë pak stresuese sepse në asnjë moment se dija kur do të ishte vërtetë drita jeshile për mua. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare.
– Cili është momenti që nuk do ta harrosh kurrë nga fanella kuqezi?
– Momenti kur ka përfunduar ndeshja në Armeni pasi ajo na dha kualifikimin në Europianin 2016. Ai ka qenë momenti më i mirë. Tre ditët përpara Armenisë kanë qenë shumë stresuese, sepse humbëm kundër Serbisë në Elbasan. Ishte më e vështirë, sepse ishte e rëndë për ne të humbnim edhe kundër Serbisë.
Momenti kur mbaroi ndeshja në Armeni ishte gëzim i madh për të gjithë, sepse ishte hera e parë. Në atë moment, askush nuk e priste që Shqipëria të ishte e dyta në grup pas Portugalisë, sepse ishim në një grup të vështirë. Ishte gëzim shumë i madh.
– Cila ndeshje ishte më e vështira për ty me Kombëtaren dhe pse?
Më e vështirë sa i përket rezultatit është ndeshja kundër Serbisë, kur humbëm 0-2 në Elbasan, sepse ka qenë në momentet e fundit. Të gjithë kemi menduar se rezultati do jetë 0-0, pastaj pësuam një gol me kundërsulm dhe humbëm shpresat. Ai ka qenë momenti më i vështirë dhe dyfish e bën të vështirë se humbëm kundër Serbisë.
– E nise me fitore ne transferten e Norvegjise dhe e mbylle me humbje ndaj Islandes. Kush është pishmani yt me kombëtaren në 34 ndeshje të luajtura?
Pengu më i madh është fakti që vendosa të largohem nga kombëtarja disa muaj para inagurimit të stadiumit “Air Albania”. Dhe nuk e kam pasur fatin që të luaj një ndeshje në këtë stadium. Sepse realisht, kur e sheh një ndeshje sot në televizor apo në stadium, është një moment shumë i mirë dhe atmosfera është shumë e mirë.
Pavarësisht se unë i kujtoj me shumë mall edhe momentet që kemi qenë në “Qemal Stafa”. Edhe atëherë ka qenë atmosfera super. Fakti që nuk kam luajtur një ndeshje në stadiumin e ri e kam disi peng. Por të gjitha momentet që kam pasur me Kombëtaren kanë qenë super.