Ylli i Kroacisë, mesfushori Luka Modriç, shënoi golin e sigurisë për skuadrën e tij në ndeshjen me Nigerinë. Kroacia kryeson grupin me 3 pikë dhe Modriç karikon ekipin e tij pas këtij suksesi, duke shënjestruar Argjentinën, edhe pse e di se nuk do të jetë si me Nigerinë. “Kemi marrë një fitore shumë të rëndësishme me Nigerinë, pasi vlen shumë që ta nisësh aktivitetin në mënyrën e duhur. Jemi të lumtur, por jo euforikë.
Ndeshja e radhës është me Argjentinën dhe patjetër që do të jetë shumë e vështirë, sepse kundërshtari është pretendent. Ne do të bëjmë lojën tonë, duke kërkuar fitoren, që do të na jepte më shumë besim për më tej. Do të luajmë vetëm për 3 pikët dhe, pavarësisht se do të jetë shumë e vështirë, do të bëjmë gjithçka që t’i marrim”, – ka thënë Modriç një ditë pas fitores me Nigerinë në Grupin D.