Kategoria e Parë nuk prodhon? Kush tha? Mjafton të punohet dhe të sakrifikohet, ndoshta edhe për një pagë më të ulët, mjafton edhe të mos ëndërrosh shumë e të sakrifikosh gjithçka për t’u ngjitur në Superiore, për të qenë më pas kalimtar e të mos evidentosh asnjë lojtar të ri. Kuptove, Lushnje?
Blerim Krasniqi, për shembull, është një nga ata që kanë pasur durim dhe kanë punuar shumë, derisa kanë bërë hapin e madh. Verën e shkuar ishte Myrto Uzuni, edhe ai nga Apolonia (rastësi?), ndërsa te Bylisi është Niko Zisi, i kërkuar nga Flamurtari.
Sot në stërvitje me Partizanin ka dalë edhe një mesfushor nigerian, Henri Okebugu: 19 vjeç, pjesëtar i kombëtares së Nigerisë (edhe pse vetëm për një miqësore para tre vitesh) dhe prej pak muajsh tek Egnatia!
Rastësi? Jo, Egnatia nuk është rastësi. U ngjit në Kategorinë e Parë këtë sezon, por i kishte themelet të forta, skuadër serioze e shumë solide, e përforcuar aty ku duhet. Klub i shëndoshë, financa të garantuara pa qenë nevoja të trumbetohet për miliona, si dhe lidhjet e duhura, me një kompani që ka sjellë në Rrogozhinë disa lojtarë afrikanë. Të rinj, të talentuar, të uritur dhe pa pretendime financiare të frikshme: A ka më mirë për futbollin shqiptar? Mirë do ishte të ishin shqiptarë, por për sa kohë nuk kemi fusha e trajnerë të kualifikuar e të mirëpaguar, ta harrojmë që do bëhemi Braziliani i Europës, edhe pse na e ka qejfi ta quajmë veten një vend të çmendur pas futbollit.
Partizani këtë janar ka nisur një projekt të ri, vetëm lojtarë të rinj e me të ardhme, por natyrisht duhen provuar gjithë lojtarët që duken interesantë dhe nuk janë provuar ende në nivele të larta. Okebugu, mesfushor qendror me një teknikë të admirueshme, do të tentojë të bindë Starovën. Edhe nëse nuk ia del, do të dalin ekipe në Superiore që e duan, apo fundja e pret Egnatia, aty ku me siguri së shpejti do të lulëzojnë talente të tjerë.