Zlatan Ibrahimoviç është duke vazhduar që të luajë në nivele të lartë të futbollit, ndërsa është protagonisti kryesor i një rikthimi të frikshëm të Milanit në Seria A që po mban kryesimin e tabelës. Por cila do të jetë aventura e re e suedezit pasi ta mbylli me futbollin, a do të vazhdojë që të jetë pjesë e kuqezinjëve me post drejtuesi? Deri në atë moment duhet të presim ende, por mediat kanë sjellë në rikujtesë ndodhinë e 2016, atëherë kur Ibrahimoviç ishte pjesë e Manchester United. Një dëmtim “horror” në përballjen ndaj Anderleht e la për nëntë muaj jashtë fushës së blertë.
Mjekët që e operuan dhe gjithë opinioni sportiv mendoi se sulmuesi nuk do të kthehej më në nivelet më të larta të futbollit, pra ishte një kapitullim i parakohshëm. Por vetëm Zlatani besoi te…Ibrahimovic! “Unë kam luajtur me një këmbë dikur, kështu që nuk do të jetë problem. Një gjë është e sigurt, unë vendos se kur do të jetë koha për ta mbyllur, askush tjetër. Nuk heq dorë tani dhe kjo është e sigurt”, do të shkruante asokohe Zlatan.
Një aventurë e re në Amerikë që të rikuperohej dhe të vinte në formën më të mirë, për t’u kthyer edhe njëherë në jehonën e futbollit të Europës me Milanin. Sulmuesi suedez do të rikthehet në qendër të studimit pasi ta mbylli me futbollin dhe këtë e ka pranuar menaxheri Raiola. “Bëri që të hidheshin poshtë të gjitha parashikimet dhe të luante futboll, pra të kthehej nga dëmtimi, në një kohë rekord. Mjekët nga SHBA nuk po i besonin asaj që ndodhi. Gjuri ishte sikur të mos kishte luajtur futboll për 20 vite, ata nuk kishin parë kurrë diçka të tillë. I janë lutur që kur ta mbylli me karrierën të bëjnë disa studime më të hollësishme me të”. /Sport Ekspres/